Sylvinho në “ankth” për Gjimshitin pas golit në Champions

Nga Dea Kozma
3 Tetor 2024, 11:50 | Futboll

Sylvinho në “ankth” për Gjimshitin pas golit në

Festë dhe ankth për Berat Gjimshitin. Kapiteni i Kombëtares shënoi golin e parë në karrierë në Champions League, por u largua përpara kohe nga fusha në ndeshjen e fituar 3-0 kundër Shakhtar Donetsk.

Mbrojtësi shqiptar tregoi zgjuarsi që të shkonte i pari te topi i harkuar nga Lookman pas një goditje dënimi. Kontrolli perfekt u shoqërua me goditjen fluturimthi nga pozicion i vështirë, duke i dhënë Atalantës avantazhin në minutën e 21-të.

Kjo ishte rrjeta e parë e Gjimshitit në 21 ndeshje të luajtura në aktivitetin më të rëndësishëm për klube. Ai i është bashkuar Atalantës në vitin 2016 dhe ishte në fushë në përballjen e fundit në Champions kundër Shakhtarit në edicionin 2019-2020, shkruan A2 CNN.

Megjithatë, festa e Gjimshitit u shoqërua me shqetësimin për lëndimin në ije. Mbrojtësi u detyrua të zëvendësohej menjëherë pas përfundoi pjesa e parë e lojës.

Pas pushimit të ndeshjes, ai nuk u kthye më në fushë, duke i lënë vendin Pasalic. Gjendja e 31-vjeçarit do të vlerësohet me kujdes nga stafi mjekësor i Atalantës, një situatë që ka vënë në alarm edhe trajnerin Sylvinho dhe stafin kuqezi. Prej këtij dëmtimi, për momentin Gjimshiti është në dyshim për dy ndeshjet e Nations League ndaj Republikës Çeke më 11 tetor dhe Gjeorgjisë më datë 14 tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos