Françesko Banjaja konfirmohet si “Mbreti” i MotoGP. Piloti italian i Dukatit fitoi titullin kampion për herë të dytë radhazi, pasi preu i pari vijën e finishit në garën e Valencias, duke lënë pas Fabio Di Xhanantonio dhe Johan Zarko.
Në garën e fundit të Botërorit, Banjaja vinte me 14 pikë avantazh ndaj Martin, por spanjolli u rrëzua në xhirot e para të garës, duke e shpallur kampion italianin ndërkohë që gara po vijonte.
Pas garës, Banjaja u shpreh: “Gjithmonë kisha ëndërruar që të fitoja garën dhe titullin kampion në të njëjtën ditë dhe sot ndodhi. Nuk e kisha kuptuar fare që Martin doli nga gara, pasi isha i shqetësuar për gomat, por gjithçka shkoi mirë në fund”.
Ky është titulli i dytë për Banjaja në MotoGP, ndërsa në vitin 2018 italiani ka fituar titullin kampion në Moto2. (A2 Televizion)