Ish-ylli i basketbollit, Magic Johnson, ka hyrë në listën e miliarderëve, sipas vlerësimit të revistës Forbes, duke e bërë atë sportistin e katërt që i bashkohet këtij klubi ekskluziv.
Revista e biznesit vlerëson se pasuria e Johnson tashmë ka arritur 1.2 miliardë dollarë.
Sportistët e tjerë që bëjnë pjesë në listën e miliarderëve janë lojtarët e NBA-së, Michael Jordan, Lebron James dhe lojtari i golfit Tiger Woods.
Johnson ka investime në kompani të shumta duke përfshirë aksione pronësie në ekipe të ndryshme sportive. Por Forbes thotë se aksionet e tij në një kompani të sigurimit të jetës mbajnë pjesën më të madhe të pasurisë së tij.
64-vjeçari kishte një nga karrierat më ikonike në historinë e NBA-së, përpara se të tërhiqej në vitin 1996, por ishte jashtë sportit kur ai fitoi shumicën e parave të tij.
Forbes thotë se Johnson ka fituar 40 milionë dollarë nga karriera e tij në NBA.
Johnson ka aksione pronësie në tri ekipe sportive me bazë në Los Angeles, duke përfshirë Los Angeles Dodgers të MLB.
Jashtë sportit, ai ka investime në Starbucks, Burger King, 24 Hour Fitness dhe kompaninë e sigurimit të jetës EquiTrust. (A2 Televizion)