Ekipi kombëtar i basketbollit të femrave ka zgjedhur Korçën për të zhvilluar fazën përgatitore në prag të Kampionatit Europian të vendeve të vogla që do të zhvillohet pas pak ditësh në Prishtinë.
Trajneri i ekipit kombëtar, Klaudjo Ndoja, në përqindje të madhe ekipin e ka zgjedhur nga kampionati ynë, ndërkohë që ka sjellë në skuadër edhe lojtarë që luajnë jashtë vendit.
Kampionati shqiptar, sipas Ndojës, është i përqendruar në tri ekipe, Partizani, Studenti dhe Flamurtari, por sipas trajnerit, federata në bashkëpunim me homologët italianë po bëjnë një punë të mirë në riorganizimin e ekipeve me një kujdes të shtuar të të gjitha ekipeve kombëtare.
Kapitenia e ekipit, Ornela Lalaj, tha se ardhja e basketbollistëve të huaja në kampionatin tonë i ka dhënë më shumë shtysë këtij kampionati.
Në Kampionatin Europian të vendeve të vogla marrin pjesë Qipro, Malta, Kosova e Gjeorgjia që do të luajnë në grupin A. Dhe në grupin B Shqipëria, Andora, Norvegjia dhe Armenia (A2 Televizion)