“Takime kolaudimi”, gazetari analizon ndeshjet e para të Botërorit

Nga A2 CNN
26 Qershor 2026, 08:34 | Futboll

Gazetari sportiv Mantho Prokopi i ka cilësuar ndeshjet e para të Botërorit si “takime kolaudimi”, duke argumentuar se ekipet ende nuk kanë treguar potencialin e tyre të vërtetë në fazën e grupeve. I ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, Prokopi u shpreh se sfidat e para kanë shërbyer më shumë për skuadrat që të gjejnë ritmin dhe formën e duhur sesa për të dhënë një pasqyrë reale të forcës së tyre.

Dy sfidat e para, përfshi edhe të tretën, kanë qenë më shumë si takime kolaudimi të skuadrave. Kanë shërbyer që ekipet të marrin veten dhe të përshtaten, sesa për të treguar nivelin e tyre real”, tha ai.

Sipas gazetarit, shumë prej përfaqësueseve kanë pasur kundërshtarë relativisht të lehtë në grupet e tyre, çka e bën të vështirë nxjerrjen e përfundimeve të sakta mbi pretendimet e tyre në turne.

Prokopi veçoi përballjen Francë-Norvegji si testin e parë të vërtetë të fazës së grupeve, megjithëse theksoi se edhe kjo ndeshje mund të mos zhvillohet me intensitet maksimal, pasi të dyja skuadrat e kanë siguruar kualifikimin.

I vetmi test real që mund të kemi në fazën e grupeve është Francë-Norvegji. Megjithatë, të dyja skuadrat janë të kualifikuara dhe nuk besoj se do të japin 100% të mundësive të tyre. Mund të jetë një ndeshje interesante, por edhe një mundësi për trajnerët që t’u japin pushim disa lojtarëve”, u shpreh ai.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos