Bardheblutë mundën në finale Teutën me rezultatin e thellë 101-80. Në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës, dominimi i kryeqytetasve u pa që në fillim të takimit ndërsa mbyllën periodën e parë me 12 pikë diferencë.
Bregdetarët ishin shumë larg pritshmërive dhe reaguan me disa tre pikësha radhazi nga kapiteni Kristi Gorea, por të pamjaftueshme.
Tirana me Endrit Hysenagollin nuk kishte mëshirë. Shtatlarti, pjesë dhe e kombëtares shqiptare ishte më i miri i takimit dhe në përfundim të takimit arriti të realizojë 19 pikë, zotëroi 10 topa në tabelë dhe dhuroi 3 assist.
Një nisje perfekte e vitit për Tiranën që fiton trofeun e parë të sezonit dhe mbeten me objektivin kryesor për të mbrojtur titullin kampion në Superligë.
Aktualisht, Tirana është në vendin e parë në klasifikim me vetëm një humbje në 5 ndeshje. (A2 Televizion)