Takimi falenderues, Rama: Fitorja në Lezhë dhe Kurbin ishte befasi

Nga A2 CNN
23 Maj 2023, 19:44 | Politikë
Takimi falenderues, Rama: Fitorja në Lezhë dhe Kurbin ishte befasi

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me këshilltarët e zgjedhur të Bashkisë Lezhë edhe pse tregoi se ishte i kënaqur me rezultatin, pranoi se kjo bashki ishte me pikëpyetje nëse do të fitohej nga Partia Socialiste apo jo.

“Më mbante besimi që njerëzit do na votonin, ishte një fitore që i kalon parashikimet.” Pas bisedës me këshilltarët, Rama zhvilloi dhe një takim me qytetarët e Lezhës dhe Kurbinit ku pohoi se nuk e priste këtë rezultat, por tha se tani që këto 2 bashki do të drejtohen sërish nga PS do të punohet më shumë që të mos thyhet besimi i dhënë nga qytetarët.

“Unë jam shumë i prekur nga gjithë mbështetja që kemi marrë më 14 Maj, po sidomos në bashkitë që unë i fusja te ato 11 të diskutueshme dhe realisht e vërteta është që të dyja këto bashki ishin nga ato 11 dhe fitorja në të dyja këto bashki është kënaqësi nuk diskutohet, por ajo zgjat pak ditë dhe vendin ja zë përgjegjësia e madhe. Na kanë lënë në dorë si të thuash që ne t’u provojmë që me ne mund të shkojnë vetëm përpara”.

Teksa foli për kundërshtarët, Rama tha se koalicioni “Bashkë Fitojmë” nuk duhet të kishte marrë asnjë votë.

“Ato 200 e ca mijë vota janë tepër, nuk duhet të kishin marrë fare. Për gjithë ato arsye që i kemi shpjeguar në fushatë. Por është një pjesë e rëndësishme që kanë vepruar me mend, kanë menduar se janë të djathtë, por kanë thënë këtë herë “duam t’ia japim votën Pjerinit sepse duam të vazhdojmë jetën në këtë qytet ku po rrisim fëmijët”.

Kreu i qeverisë premtoi investime në Lezhë dhe Kurbin dhe tregoi se synimi është që të rritet turizmi në këto qytete.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos