Eksperti i ekonomisë, Pano Soko dhe aktori Neritan Liçaj, e komentojnë si një tërheqje të bashkisë, deklaratën e një dite më parë, ku thuhej se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet nga shteti si një investim publik, pasi kompania private është tërhequr.
“Është një lajm i mirë për shqiptarët. E para, u arrit të shpëtohej nga kthetrat e një mashtrimi ekonomik me përmasa të jashtëzakonshme, siç do të ishte ai i ndërtimit të kullave në hapësirën e teatrit. E dyta, është fakti që ne arritëm të shpëtojmë nga keq menazhimi një vepër publike, të historisë së artit shqiptar. Sa i përket mënyrës se si u interpretua, ishte një alibi për të pasur një dalje të butë nga ai skenari i fortë. Nuk ka shanse që këta të prishin teatrin, këta do të restaurojnë këtë që është. Në një moment tjetër, do të dalë se bashkia nuk ka fonde për një teatër të ri dhe do të restaurohet ky që është”, u shpreh Pano Soko.
Liçaj, përsëriti edhe njëherë tjetër se, është pro ndërtimit të një teatri të ri, por jo në godinën ekzistuese.
“Projekti nuk ka ndryshuar fare, por këta kanë parë se nuk ia arrijnë dot synimit. Të gjitha janë tallava “alla Rilindje”. Tani po gjejnë një formë të tërhiqen. Ne jemi këtu dhe nuk tërhiqemi, le ta provojnë! Unë jam i pari që do të mbështesja një teatër të ri, por jo këtu. Kjo godinë nuk do të shembet”, është shprehur aktori Neritan Liçaj. (A2 Televizion)