Nga Tropoja në Shkodër, bashkë me Tiranën, Durrësin, Fierin e veçanërisht Vlorën, Gjirokastrën e Sarandën... në thuajse 28 mijë kilometrat katrorë të vendit... të gjithë po vuajnë nga temperaturat e larta.
“Gjëja e parë që duhet të dimë është fakti se trupi i njeriut është i përbërë nga 60 për qind ujë, ndërsa truri plot 90 për qind. Kur ju humbni ujë nga trupi juaj duke u djersitur apo përmes frymëmarrjes, ndikimi është i drejtpërdrejtë te sistemi kardiovaskular, veshkat dhe gjithashtu shëndeti mendor. Temperaturat e larta sjellin turbullira dhe lodhje deri në pamundësi për të qëndruar në këmbë”, thotë për A2 CNN Geraldine McWeeney, përfaqësuesja e OBSH-së në Shqipëri.
Një në 10 telefonata drejt Urgjencës Kombëtare sot lidhet me problemet e shkaktuara nga i nxehti, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit. “Grupmoshat më të rrezikuara dhe më të prekura nga kjo janë kryesisht fëmijët e vegjël dhe të moshuarit. Fëmijët pasi sistemi i tyre imunitar nuk është i zhvilluar mjaftueshëm, dhe të moshuarit pasi kanë një sistem imunitar kryesisht të dobët dhe gjithashtu kanë sëmundje të tjera bashkëshoqëruese”, thotë McWeeney.
Një sërë agjencishë ndërkombëtare, përfshirë NASA-n po i lidhin temperaturat e larta me ndryshimet klimatike duke paralajmëruar ndërkohë se kjo mund të jetë vera më e freskët në raport me ato që pritet të vijnë.
“Vetëm pak javë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë zhvilloi një takim me Ministritë e Shëndetësisë dhe Mjedisit të vendeve Europiane. Në fund të saj u nënshkrua ajo që njihet si “Deklarata e Budapestit”. Kjo deklaratë mbështet angazhimin në agjendën e klimës dhe shëndetit për të shmangur problemet që shkaktohen nga i nxehti”, thotë McWeeney.
Sipas matjeve të meteorologëve, e marta ka regjistruar temperaturën më të lartë për këtë vit, me 43 gradë. I nxehti afrikan që ka pushtuar vendin prej më se dy javësh pritet t’ia lërë vendin temperaturave disi më të ulëta në mesjavë. (A2 Televizion)