Torta e dasmës më e shtrenjtë në histori, nga brenda saj dolën edhe dy pëllumba

Nga A2 CNN
20 Gusht 2023, 09:46 | Lifestyle

Gjashtë kate, një krem i detajuar, një kuti muzikore e fshehur në të dhe mbi të gjitha një surprizë e papritur.

Nëse sot tortat e dasmës bëhen në një mënyrë të caktuar, për këtë i detyrohemi dasmës përrallore të Princeshës Grace Kelly. Dasma midis Grace Kelly dhe Princit Rainier, e festuar më 19 prill 1956, ndryshoi përgjithmonë mënyrën e organizimit të dasmave.

Nga banketi te fustani, deri te lulet, gjithçka ndryshoi pas asaj dite prilli. Sidomos kur bëhet fjalë për tortat e dasmës. Torta e dasmës së Grace dhe Princ Ranieri është në fakt më e kopjuara në botë. Jo vetëm kaq, pasi ajo ishte edhe më e shtrenjta. Për ta rikrijuar atë tort sot, me gjashtë katet e saj madhështore dhe peshën 225 kg, do të duheshin mbi 10 mijë euro.

Torta u konceptua, si nderim për të sapomartuarit, nga pastiçeri i Hotel de Paris në Montecarlo, i cili ruante njëfarë rezerve për formulën që përdori për mbushjen e saj. Ende sot dihet vetëm se përfshinte marzipan dhe çokollatë të zezë.

Vëmendjen sakaq e tërhoqi kremi i sheqerit që e mbulonte në çdo pjesë, i përkujdesur dhe i dekoruar deri në detajet më të vogla.

Tre katet e para riprodhuan me detaje Pallatin e Princave, ndërsa të tjerët përshkruanin skena nga historia e principatës.

Stema Monegaske dominonte midis katit të katërt dhe të pestë të tortës, të bëra me sheqer të kuq dhe të bardhë, ndërsa në shtresën e sipërme u vendosën dy Putti Filigree (kupidë dashurie) duke u balancuar mbi re akulli, me një kopje të kurorës së Monakos të varur mbi kokat e tyre.

Në këtë kat të fundit, një pajisje muzikore e fshehur luante ritmet e Ave Maria të Schubert dhe Marshimin e Dasmës së Mendelssohn.

Në fund, goditja mjeshtërore ishte kur Princi Rainier preu fetën e parë të tortës me shpatën e tij dhe në dy katet e fundit u hap një kafaz i fshehur nga i cili fluturuan dy pëllumba, një simbol i dashurisë dhe besnikërisë.

Ndoshta, duke menduar tani për të gjitha këto detaje (veçanërisht pëllumbat), mund të duket e pabesueshme. Por, në vitet 1950, torta dhe e gjithë ngjarja përfaqësonin një manifestim të madhështisë së Principatës së Monakos dhe lamtumirën solemne të muzës së Hitchcock në universin e shndritshëm të Hollivudit.

A2 CNN Livestream

A2 Sport