Një urë me vlerë 20 miliardë dollarë që do të lidhë Hong Kongun dhe Makaun me Kinën do të hapet këtë javë, pas nëntë vitesh punime. Ajo do të bëhet në këtë mënyrë ura më e gjatë në botë që kalon përmes detit.
Të martën do të zhvillohet ceremonia e përurimit, ku presidenti kinez Xi Jingping do të shoqërohet nga autoritetet e Hong Kongut dhe Makaut, ndërsa kalimi i mjeteve do të nisë të mërkurën. Ura 55 kilometra e gjatë duhet të ishte vënë në punë në vitin 2016, por vonesa të shumta e shtynë këtë afat.
Ajo do të jetë një element kyç për lidhjen e një zone prej 56 500 kilometrash katrorë, në të cilën banojnë rreth 68 milionë persona. Disa parashikojnë që udhëtimi mes qyteteve do të shkurtohet nga tri orë në 30 minuta.
Ura është ndërtuar që të durojë tërmete të magnitudës 8, super tajfuneve dhe goditjeve nga anijet e mëdha të mallrave. Për ndërtimin e saj janë përdorur 400 000 tonë çelik, për krahasim 4,5 herë më shumë se sa për urën “Golden Gate” të San Franciskos. Rreth 6,7 kilometra rrugë të urës janë nën ujë, një ide që ndihmon në shmangien e trafikut të madh detar në zonë. Gjatë ndërtimit të saj kanë humbur jetën 7 punëtorë ndërsa 275 të tjerë janë dëmtuar.
Përparësi për kalimin në urë do të kenë mjetet e transportit publik dhe ato të turistëve, ndërsa pronarët e makinave private në Hong Kong nuk do të kenë mundësi të kalojnë aty pa leje të veçantë. Janë pikërisht banorët e Hong Kongut që e kanë kundërshtuar më tepër këtë projekt, pasi mendojnë që qyteti i mbipopulluar do të “mbytet” nga turistët. Në vitin 2016, Hong Kongu u vizitua nga 56,7 milionë turistë, një shifër gjigante krahasuar për shembull me 37,6 milionë turistët që vizituan Mbretërinë e Bashkuar në të njëjtën periudhë. (A2 Televizion)