Pas më shumë se një shekulli duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme, kisha madhështore e Barcelonës, Sagrada Familia, më në fund ka vendosur të rregullojë punët me këshillin e qytetit.
Përmes një marrëveshjeje historike, kisha do të marrë lejen e ndërtimit dhe gjithë dokumentacionin e nevojshëm në këmbim të një pagese prej 36 milionë eurosh që do të kryhet e shpërndarë në dhjetë vitet e ardhshme. Paratë do të përdoren për të financuar projekte që do të zbusin impaktin e rreth 4,5 milionë njerëzve që vizitojnë çdo vit bazilikën e papërfunduar.
“Sagrada Familia është një ikonë dhe monumenti më i vizituar i qytetit tonë”, shkroi në Twitter Kryetarja e Bashkisë së Barcelonës, Ada Colau. “Pas dy vitesh dialog kemi arritur një marrëveshje që do të garantojë pagesën e licencës, që do të përmirësojë infrastrukturën rreth objektit dhe lehtësojë jetën e vendasve”.
Nga e gjithë shifra, 22 milionë euro do të përdoren për të përmirësuar infrastrukturën e transportit që i shërben kishës dhe 7 milionë euro të tjera do të zgjerojnë sistemin e metrosë të qytetit të dytë më të madh në Spanjë. 4 milionë euro do të shkojnë për rindërtimin e katër rrugëve kryesore ndërsa 3 milionë euro do të shkojnë për pastrimin dhe sigurinë e zonës.
Ndërtimi i Sagrada Familia ka nisur në vitin 1882, nën drejtimin e arkitektit Paula del Villar y Lozano, por shumë shpejt hoqi dorë nga projekti. Ai u zëvendësua nga Antonio Gaudí, një arkitekt katalanas punët e të cilit gjenden gjithkund në Barcelonë. Ai ia kushtoi jetën ndërtimit të bazilikës, por ndërroi jetë në vitin 1926 pasi u shtyp nga një tram. Që prej asaj kohe një numër i madh arkitektësh kanë punuar për përfundimin e veprës sipas dizajnit fillestar të Gaudi. Sipas përllogaritjeve, ajo do të jetë e përfunduar në vitin 2026, 100 vjet pas vdekjes së tij. (A2 Televizion)