
Duhet impenjim i rëndësishëm në nivel ministrie, për të dhënë buxhete përkatëse dhe për ta adresuar problemin e mungesës së standardeve dhe kushteve në komisariate. Këtë apel dha në "Ditari" në A2 CNN, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, duke komentuar vdekjen në komisariatin e Kamzës të 26-vjeçarit, e dyta gjatë mandatit të saj në krye të këtij dikasteri.
“Në rastin konkret, problemet buxhetore kanë cenuar të drejtat e këtyre personave duke i krijuar edhe mundësinë për vepër kriminale, apo arratisjen nga zona ku ishte, apo për të krijuar ndonjë problematikë tjetër. Ka një qëndrim të tij sa kohë që ai është gjendur në ambientet e tualetit dhe jo në dhomën e sigurisë. Ka pasur një tentativë prej tij”.
Sipas saj, institucioni që ajo drejton ka bërë rekomandime në mënyrë të vazhdueshme për këtë komisariat, sa u takon mungesës së kushteve të sigurisë në dhomat e shoqërimit.
“Kur fillon hetimi nga prokuroria, Avokati i Popullit stopon hetimet e veta për ngjarjen, ndërsa vijon për shkeljen e të drejtave të njeriut në parandalimin. Për komisariatin 5 kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme rekomandime. Ne kemi bërë të njëjtin rekomandim që kushtet e dhomave të sigurisë nuk plotësojnë standardet e rregullores së policisë. Kësaj i janë mbivendosur dhe disa problematika që kanë të bëjnë për zbatimin e rregullores së detyrueshme për shoqërimin e personave për mbajtjen e elementeve të mundshme që përbëjnë rrezik. Dhomat e sigurimit kanë kushte të caktuara se në to mbyllen keqbërës, potencialisht janë dhoma për kontingjent keqbërës dhe duhet të ruhen si vetë ata nga lëndimi apo punonjësit e policisë. Dhomat e komisariatit në Kamëz duhet të mbylleshin se nuk përmbushnin standardet për të mbajtur të shoqëruar aty”.
Problemi thelbësor, për Ballancën, është mungesa e kamerave, një standard ky i kërkuar edhe nga rregullorja e policisë, të cilës i mbivendoset dhe problematika e kushteve higjienike dhe ajrimit.
“Kamerat janë standard i munguar, Avokati i Popullit dhe rregullorja e Policisë kërkon vendosjen e kamerave si parandaluese. Problematikave të dhomave i shtohen edhe kushtet nga ato higjienike dhe të ajrimit ajo janë në katin e nëndheshëm dhe nuk ka dritare. Nuk ka shtretër dhe personat janë të shtrirë drejtpërdrejt në tokë. Dhe kjo përbën trajtim jodinjitoz për personat e ndaluar. Personi në fjalë ka marrë edhe masën për veprën penale të dhunës në familje dhe ka qenë në pritje për të lëvizur në institucion paraburgimi”.
Por Avokati i Popullit në raportin që është drejt përfundimit për këtë ngjarje shtron pyetjen nëse janë zbatuar edhe rekomandimet e Komitetit për parandalimin e torturës, nisur nga fakti që 26-vjeçari ishte shoqëruar 20 herë në komisariat për dhunë në familje dhe përdorim alkooli dhe substancave të tjera.
“Ky person është shoqëruar në mënyrë të vazhdueshme për të njëjtin problem dhe duhet parë nëse mjeku që ka bërë vizitën e tij të ketë bërë vlerësim të gjendjes së këtij personi brenda 12 orëve, gjendja e të cilit nuk ka qenë në shëndet të mirë mendor për sa kohë është shoqëruar 20 herë në komisariat për dhunë në familje dhe përdorim alkooli dhe substancave të tjera. Kjo është një pistë hetimi që duhet kryer. Avokati i Popullit po përfundon një raport se sa janë zbatuar rekomandimet e Komitetit për Parandalimin e Torturës dhe po shohim zbatimin e këtyre standardeve”.
Sipas Ballancës, kjo ngjarje ishte e pamundur të parandalohej për shkak të kushteve, por ajo thekson se është menduar një zgjidhje në grup për të gjithë komisariatet e Tiranës me ambiente të reja, godina e të cilit ka përfunduar, por mungojnë edhe këtu disa elemente sigurie. Për këta të fundit, ajo ka rekomanduar që të merren përgjegjësi nga personat që pse nuk janë projektuar masat e nevojshme të sigurisë.
“Kjo është një ngjarje që është e pamundur të parandalohet, por duhet të jenë korridoret e kontrolluara dhe kushte në komisariate. Për të gjitha komisariatet është menduar një zgjidhje në grup, duke krijuar ambiente të reja sigurie me kushte bashkëkohore për Tiranën. Godina ka përfunduar dhe ka kapacitet për 60 veta me dhoma individuale. Kushtet janë shumë të mira në godinën e re. Godina ka përfunduar dhe ka problem me disa elemente të sigurisë për marrjen në dorëzim të saj. Kam inspektuar këtë godinë dhe ka disa probleme sigurie që nuk janë menduar si duhet kur është bërë planifikimi i godinës dhe për këtë kemi nxjerrë rekomandime që të merren përgjegjësi nga personat, sepse nuk janë projektuar me masat e sigurisë së nevojshme. Procedurat e prokurimit duhet të ribëhen për të rregulluar elementet e tjera. Kam shqetësim faktin se dhomat e shoqërimit dhe ndalimit janë në të gjithë Shqipërinë e Tiranën që nuk lejojnë trajtim dinjitoz për ata që futen brenda”. (A2 Televizion)