Xhepa: Fondet e donatorëve për pandeminë të përdoren vetëm për sipërmarrjen

Nga A2 CNN
30 Shtator 2020, 21:07 | Ekonomi
Xhepa: Fondet e donatorëve për pandeminë të përdoren

“Gjendja social-ekonomike në Shqipëri është problematike. Fatkeqësisht, që nga kriza e vitit 2008-2009, që në Shqipëri u transmetua me 2-3 vite vonesë, tërmeti dhe në veçanti pandemia, kanë dhënë efekte serioze mbi gjendjen ekonomike në vend. Përtej faktit nëse rritja ekonomike do të jetë me -4,5% apo me -7,5%, ajo që është evidente është që treguesit më themelorë që pasqyrojnë gjendjen sociale-ekonomike janë në rënie”.

Kështu u shpreh në A2 Business Week këtë të mërkurë eksperti i ekonomisë Selami Xhepa. Ai rekomandon që fondet e donatorëve të përdoren në mënyrë të plotë vetëm për mbështetjen e sipërmarrjes.

“Rënia e importeve do të thotë se konsumi i brendshëm është në rënie. Vëzhgimet që janë bërë, si nga partnerë, tregojnë se xhiroja ekonomike dhe fitimi është në rënie të ndjeshme. Është provuar që gati 70% e shqiptarëve me zor kanë mbajtur veten gjatë pandemisë. Dy paketat e qeverisë mund ta kenë zbutur çështjen, por problemet mbeten themelore dhe të paadresuara në themel.

Që rritja e ekonomisë të jetë jo vetëm për këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm, gjë që unë e shoh me shumë rezervë faktin që do të kemi një rikuperim të shpejtë ekonomik, sepse Shqipërisë do t’i duhen 3 vite për të rikuperuar rënien, që të mbështesim sipërmarrjen private, kemi nevojë për politika specifike. Nëse nuk i realizojmë këto me instrumente të politikave konkrete, unë them që edhe Ministria e Financave do ta ketë të vështirë që të realizojë objektivat e veta. Rritja ekonomike nuk është vetëm në funksion të stabilitetit financiar. Kjo është një problematikë serioze në vetvete. Kemi gati 4 miliardë euro borxh publik që nuk e lejon ministrinë të bëjë politika më aktive.

Unë rekomandoj që fondet e donatorëve, gati 400 milionë euro vetëm për pandeminë, të përdoren në mënyrë të plotë vetëm për mbështetjen e sipërmarrjes, në veçanti ato të vogla dhe të mesme. Kjo është një mangësi e të dyja paketave të qeverisë”, u shpreh Xhepa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos