
Në arenën politike ka nisur tashmë gara që i paraprin një viti zgjedhor, fokusi është ekonomia. Qeveria dhe opozita gati çdo ditë po zbulojnë elementë nga sistemi i taksimit, që premtojnë të zbatojnë. Kjo ndodh në një kohë, kur ekonomia ndodhet në recesionin më të thellë të viteve të fundit, për shkak të pandemisë COVID-19.
Dy ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar mbylli misionin virtual dy javor në Shqipëri, duke paralajmëruar një tkurrje të fortë me -7,5%. FMN la rekomandime të shumta për qeverinë mes tyre, edhe atë të një plani rezervë për pandeminë, në kushtet kur nuk dihet sa do të zgjasë.
Kryeministri Rama reagoi për ekonominë dhe me shumë optimizëm, pohoi se rënia do të jetë shumë më pak nga sa paralajmëron FMN dhe ngritja shumë më e shpejtë.
Për të diskutuar jo vetëm për misionin e FMN dhe marrëdhënien e Fondit me qeverinë, por edhe për disa premtime të kryeministrit që kanë ngjallur jo pak debat dhe kërshëri, siç ishte deklarata për rishikimin e taksës progresive, rritja e pagës minimale apo edhe heqja e tatim fitimit dhe TVSH për biznesin e vogël, ishin të ftuar në A2 Business Week ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj; Zana Guxholli, eksperte për ekonominë, zv.rektore e universitetit “Marin Barleti”; si dhe Selami Xhepa, ekspert për ekonominë, president i universitetit “Europian të Tiranës”.
Ministrja Denaj u shpreh se tashmë recesioni i ekonomisë është fakt, por sipas saj, jemi duke prekur edhe ringritjen.
“Jemi duke kaluar një tre mujor të tretë që tregoi se parashikimet tona më pesimiste nuk u materializuan dhe këtu e kam fjalën për sektorin e turizmit dhe bujqësinë. Efekti i konsumit, i cili edhe raport me të ardhurat në 8 mujor, në analizë krahasuar me 8 mujorin e vitit të kaluar, tregoi që rënia e të ardhurave që vijnë nga TVSH-ja është -3,8%, në krahasim me të gjithë treguesit e tjerë të TVSH-ve. Këto janë kalkulime, duhet të presim fundin e vitit për të parë se si do të materializohet. Recesioni është një fakt, por ne jemi duke prekur edhe ringritjen pas mbylljes. Jemi duke u përgatitur jo vetëm për të realizuar objektivin e fundit të vitit sipas aktit normativ të rishikuar në korrik, por jemi duke pritur edhe për buxhetin 2021”.
Më tej, ministra u shpreh se ekziston një skenar edhe në rast të një tkurrje deri në -7,5%, ashtu siç është parashikuar nga FMN-ja.
“Ne kemi një situatë të mirë likuiditeti për të realizuar shpenzimet edhe me një reduktim të të ardhurave. Ne themi se në buxhetin e shtetit kemi parashikuar një reduktim të të ardhurave, i cili është një skenar që do të ndodhë. Kemi rishikuar buxhetin në aktin normativ me reduktim të të ardhurave tatimore-doganore, i cili edhe nëse recesioni i parashikuar nga FMN shkon në ato parametra që janë parashikuar, ne kemi krijuar një skenar të dytë të një hapësire. Shpenzimet janë të parashikuara dhe ne kemi krijuar likuiditetin. Ne kemi likuiditet dhe kemi edhe diferencën për të filluar vitin dhe për ta vazhduar atë në mënyrë të qëndrueshme”.
Për eksperten e ekonomisë, Zana Guxholli, të tëra këto premtime që paraqet qeveria janë hapje e fushatës elektorale.
“Niveli i të ardhurave që konsiderohet për këtë buxhet ka të bëjë shumë me tkurrjen ekonomike të Shqipërisë. Nëse buxheti është bërë për një tkurrje -7,5%, ai do të jetë krejt ndryshe nga një buxhet i bërë sipas shifrës së kryeministrit 4,5%. Si gjithmonë mungon transparenca. Ministria e Financave nuk ka mundur të luajë rolin që duhet të bënte, pavarësisht se e ka vënë theksin teorikisht sa i përket monitorimit, madje ka krijuar edhe një njësi monitorimi, por, me diplomaci, FMN thotë se ministria nuk është lejuar nga qeveria ta plotësojë këtë detyrim. Madje, ministria nuk ka mundur as të zbatojë kuadrin ligjor të vendimeve të marra. Qeveria duhet të reflektojë për të gjitha vërejtjet dhe analizën që i bën FMN. Përtej efektit të tërmetit, përtej pandemisë, janë një sërë të metash që nuk shfaqen për 5-6 muajsh, por pasojë e keqmenaxhimi disavjeçar. Ekonomia shqiptare është e brishtë. Një gjë që nuk u bë dot në 7 vjet nuk mund të behet në 7 muaj dhe ta mendojmë që kemi zgjedhje elektorale. Të tëra këto premtime dhe optimizmi eksitant që paraqet qeveria janë hapje e fushatës elektorale. Besoj i kanë dëgjuar dhe nuk mund t’i besojnë dot sepse performanca tregon ndryshe”, u shpreh Guxholli.
Ministrja Denaj ndërhyri duke kujtuar se të ardhurat mbi produktin e brendshëm bruto janë rritur me 5% krahasuar me vitin 2012. “Në vitin 2012 të ardhurat mbi produktin e brendshëm bruto ishin 22,5%, janë 27,5% nuk janë mjaftueshëm, por janë 5%+. Këtë e kemi bërë duke ulur edhe taksat. Ky është keqadministrimi? Do të shkojmë te 30%. Mirëadministrimi fiskal është një nga elementët kyç”.
Ndërkohë, për ekspertin Selami Xhepa gjendja sociale-ekonomike në Shqipëri është problematike. Ai rekomandon që fondet e donatorëve të përdoren në mënyrë të plotë vetëm për mbështetjen e sipërmarrjes.
“Gjendja sociale-ekonomike në Shqipëri është problematike. Fatkeqësisht, që nga kriza e vitit 2008-2009, që në Shqipëri u transmetua me 2-3 vite vonesë, tërmeti dhe në veçanti pandemia, kanë dhënë efekte serioze mbi gjendjen ekonomike në vend. Përtej faktit nëse rritja ekonomike do të jetë me -4,5% apo me -7,5%, ajo që është evidente është që treguesit më themelorë që pasqyrojnë gjendjen sociale-ekonomike janë në rënie. Rënia e importeve do të thotë se konsumi i brendshëm janë në rënie. Vëzhgimet që janë bërë, si nga partnerë, tregojnë se xhiroja ekonomike dhe fitimi është në rënie të ndjeshme. Është provuar që gati 70% e shqiptarëve me zor kanë mbajtur veten gjatë pandemisë. Dy paketat e qeverisë mund ta kenë zbutur çështjen, por problemet mbeten themelore dhe të paadresuara në themel.
Që rritja e ekonomisë të jetë jo vetëm për këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm, gjë që unë e shoh me shumë rezervë faktin që do të kemi një rikuperim të shpejtë ekonomik, sepse Shqipërisë do t’i duhen 3 vite për të rikuperuar rënien, që të mbështesim sipërmarrjen private, kemi nevojë për politika specifike. Nëse nuk i realizojmë këto me instrumente të politikave konkrete, unë them që edhe Ministria e Financave do ta ketë të vështirë që të realizojë objektivat e vetë. Rritja ekonomike nuk është vetëm në funksion të stabilitetit financiar. Kjo është një problematik serioze në vetvete. Kemi gati 4 miliardë euro borxh publik nuk e lejon ministrinë të bëjë politika më aktive. Unë rekomandoj që fondet e donatorëve, gati 400 milionë euro vetëm për pandeminë, të përdoren në mënyrë të plotë vetëm për mbështetjen e sipërmarrjes, në veçanti ato të vogla dhe të mesme. Kjo është një mangësi e të dy paketave të qeverisë”. (A2 Televizion)