Zbulohet nën akullnajat siberiane një bizon 8000-vjeçar, dyshime nëse mund të klonohet

Nga A2 CNN
30 Mars 2023, 12:10 | Lifestyle

Permafrost, shtresa e ngrirë e tokës, është një arkë thesari që herë pas here na lë pa fjalë. Shembulli i fundit vjen nga Rusia, nga qyteti Verkhojansk në Yakutia, zona më e ftohtë e banuar në hemisferën veriore.

Në vitin 2022, një ekspeditë shkencore zbuloi mbetjet, jo të plota, por të ruajtura në mënyrë perfekte, të një bizoni në atë zonë. I ngordhur 8000 vjet më parë, sipas autorëve të zbulimit,  ekzemplari është në gjendje të jashtëzakonshme sa do të jetë e mundur të klonohet dhe të kthehet në jetë. Por pjesa tjetër e botës shkencore është skeptike për këtë.

Kafsha, së cilës iu gjet koka, gjymtyrët e përparme dhe një pjesë e gjoksit, është një bizon dy vjeçar, shkaku i ngordhjes së të cilit nuk dihet ende. Për këtë do të duhet një autopsi më e plotë dhe gjithashtu një analizë radiokarbonike për të përcaktuar, kohën e ngordhjes. Bizonët e tjerë të gjetur në zonë datojnë 8000 vjet më parë apo më shumë.

Ende nuk ka publikime zyrtare mbi gjetjen, vetëm deklaratat e ekipit hulumtues. Sipas Hwang Woo-Suk, një nga anëtarët dhe drejtor i Fondacionit të Kërkimeve Bioteknologjike të Emirateve të Bashkuara Arabe, kafsha mund të përmbajë mjaftueshëm ADN të ruajtur mirë për të lejuar klonimin.

Problemi është pikërisht se me këtë kafshë po punon profesori Hwang Woo-Suk, një koreano-jugor dhe studiues dikur në Universitetin Kombëtar të Seulit, një pozicion që ai e humbi në mënyrë të pandershme, pasi u pushua nga puna për falsifikimin e rezultateve të disa studimeve të tij dhe gjithashtu për thyerje të rregullave etike në lidhje me mbledhjen e qelizave vezë të njeriut.

Hwang Woo-Suk dhe ekipi i tij së fundmi zbuluan një ekzemplar ariu në permafrost që e daton atë 22,000 vjet më parë. Analizat e mëtejshme treguan se ai ishte vetëm 3,500 vjet i vjetër. Përveç reputacionit jo të papërlyer të ekipit të përfshirë në studim, ekziston edhe një problem më praktik: sipas disa ekspertëve, siç janë raportet e Live Science, për një operacion klonimi të këtij lloji është e nevojshme të gjendet ende i paprekur kromozomi, diçka e pamundur në një kafshë që ngordhi mijëra vjet më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos