Vijon të jetë e përkeqësuar situata nga zjarret në Vlorë. Pas Karaburunit, ku situata ende mbetet problematike, flakët kanë përfshirë Poron, Kodrën mbi Livadh dhe grykëderdhjen e Vjosës. Ndërkohë era e fortë, i çon flakët në drejtim të Llogorasë, duke vështirësuar punën e helikopterit dhe forcave tokësore. Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako deklaron se ka një rrezik të shtuar pavarësisht shtimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike.
“Operacioni ka ditë që vazhdon. Sot janë intensifikuar kapacitetet e burimeve njerëzore ushtarake dhe shtim i kapaciteteve ajrore. Kemi vazhduar dhe jemi në operacion kemi dërguar helikopterë dhe trupa në destinacion në Karaburun për të shuar flakët. Vazhdon operacioni edhe me trupa të FA dhe vullnetarë e punonjës të mbrojtjes nga zjarri. Rreziku është pjesë e riskut, ka një rrezik të shtuar, por me punë dhe shtimin e burimeve teknike e njerëzore shpresojmë ta mbajmë nën kontroll situatën.
Nuk është e vërtetë që ka avancuar shumë. Ka ditë që ka filluar, por për shkak të terrenit të vështirë, ka vazhduar operacioni me trupa, por synojmë ndërprerjen e avancimin e zjarrit”.
Çako njoftoi gjithashtu se ka kërkuar ndihmë nga mekanizmi i Bashkimit Europian, por situata është e vështirë në të gjithë vendet e Ballkanit.
“Kemi operuar gjatë gjithë ditës së djeshme, kemi kërkuar nga mekanizmi i mbrojtës civile të BE mbështetje, por për shkak të situatës së rënduar në vendet e Ballkanit në mënyrë të veçantë Itali, Turqi, Greqi, Mali i zi, pothuajse të gjitha vendet janë përfshirë nga temperatura të larta që kanë prodhuar zjarre”. (A2 Televizion)