Prej më shumë se 12 orësh, masivi i gështenjave në dy fshatra të Tropojës janë përfshirë nga flakët. Zjarri vijon të rrezikojë pemët në fshatrat Gri dhe Gegëhysen dhe pavarësisht përpjekjeve të banorëve të zonës ka qenë e pamundur që të shuajnë flakët.
Deputeti i zonës, Isuf Çelaj, bëri sërish thirrje për autoritetet që të ndërhyjnë për të frenuar avancimin e flakëve.
“Ky zjarr po ju kërcënon shtëpitë dhe pronat e tyre, dëmi i shkaktuar prej zjarrit është i pallogaritshëm edhe ndaj mjedisit natyror! Gështenja është pemë e bekuar prej Zotit dhe u ka shërbyer dhe u shërben këtyre banorëve për t'u ushqyer si një pasuri e çmuar në shekuj! Thirrja për institucionet shtetërore që të marrin masa urgjente e t’iu shkojnë në ndihmë këtyre banorëve të lënë në harresë nga shteti i tyre! Është obligim ligjor mbrojtja e pasurisë natyrore banesave të këtyre banorëve!”, tha Çelaj në një postim në Facebook. (A2 Televizion)