Kur mbetur vetëm dy javë nga zgjedhjet, Partia Demokratike nuk ka çuar ende listën me komisionerët e saj. Përballë kësaj situate, Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji i ka kërkuar ditën e sotme Ilirjan Celibashit listën e anëtarëve kryesisht që ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ato kërkojnë t’u vihet në dispozicion një kopje e vendimit të Komisionerit së bashku me listën e personave që mund të emërohen për të plotësuar vendet vakante për anëtar dhe sekretar të KQV-së.
E mbi bazën e kësaj liste, i kërkojnë Celibashit që të plotësojë vakancat, për aq kohë sa partia që ka detyrimin për ta bërë, ka zgjedhur që të mos e zbatojë këtë të drejtë që i jep ligji.
“Së fundmi, jemi vënë në dijeni se në disa Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, subjekti zgjedhor "Partia Demokratike" ende nuk ka dërguar propozimet dhe dokumentet për anëtarë në Komisionet e Qendrave të Votimit, në tejkalim te afateve të përcaktuara në nenin 36 pika 2 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar.
Nisur nga sa më sipër, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt zgjedhor në përputhje me standardet e legjislacionit në fuqi, lutemi :
I. Të na vini në dispozicion një kopje të vendimit të Komisionerit së bashku me listën e personave që mund të emërohen kryesisht për të plotësuar vendet vakante për anëtar dhe sekretar të KQV-së, sipas përcaktimeve të nenit 36 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar dhe nenit 11 të udhëzimit nr. 2, datë 5.12.2020, të Komisionit Rregullator, "Në caktimin e procedurave të përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht për plotësimin e vakancave në Komisionet e Zonës së Administrimit Zgjedhor dhe Komisionet e Qendrave të Votimit", i ndryshuar”, thuhet në kërkesën drejtuar KQZ-së. (A2 Televizion)