Analistët për ODIHR: Konstatime që nuk ishin thënë për procese të mëparshme

As në shqip e as në anglisht, partitë politike nuk arritën ta lexojnë njësoj raportin e ODIHR. Por ekspertët zgjedhorë, Afrim Krasniqi e Kristaq Kume, ndajnë të njëjtin mendim për vlerësimin e vëzhguesve të kryesuar nga Glover.

“Risi në këtë raport është fakti që për herë të parë kemi një raport për një palë zgjedhje që nuk janë zgjedhje. Vëzhguesit ndërkombëtarë e deklarojnë se shqiptarët nuk patën mundësi për të zgjedhur dhe fushata u përqendrua më shumë në përpjekjen për të marrë pjesë në votime”, shprehet Krasniqi.

“Problemi i madh është ai që lidhet me mundësitë e kufizuara që iu dhanë qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur dhe zhvillimin e këtij procesi më shumë se sa në interes të qytetarit, në interes të partive politike. Kjo është një shmangie shumë e madhe nga parimet themelore në të cilat duhet të zhvillohen zgjedhjet”, shprehet Kume.

Vlerësimi nuk ishte pozitiv për KQZ-në, sipas ish-kryetarit të këtij institucioni, Kume. Por as për partitë, sipas Krasniqit.

“Nëse i adresohet 60 apo 70% qeverisë, e gjithë pjesa tjetër i adresohet opozitës. Kjo është një shuplakë për klasën tonë politike që nuk arrin as pas 30 vjetësh të bëjnë zgjedhje”, thotë Krasniqi.

“Këtë radhë dolën shumë më tepër në dukje, KQZ në veprimtarinë e tij, por edhe Kolegji Zgjedhor, nuk patën si kryefjalë ligjin, por më shumë sesa kaq interesin e partive politike”, shprehet Kume. Pas këtij raporti, sipas ekspertëve të zgjedhjeve, duhet të vijë reflektimi. Por për ta, zgjidhja sipas gjasave nuk do të vijë nga brenda.

Shkarkoni aplikacionin e A2