Pëllumbi tregon në “Absolut 4” sfidat e Partisë Socialiste në mandatin e tretë

Arben Pëllumbi, sekretar organizativ i Partisë Socialiste, deklaroi në “Absolut 4” në A2 se dy janë sfidat e mëdha të socialistëve. 

“Sfida e parë është ajo e pandemisë. Deri në pranverën e vitit tjetër do të kemi përfunduar vaksinimin e të gjithë popullsisë.
Sfida e dytë është ajo e rindërtimit, të rekuperimit të të gjitha dëmeve materiale që na shkaktoi tërmeti. Jemi në valë të madhe pune për sigurimin e një shtëpie për të gjithë qytetarët që mbetën të pastrehë”, u shpreh Pëllumbi.

Sipas tij, “pandemia stopoi ekonominë shqiptare dhe botërore. Premtimet që na u bënë për ndihmë në grante dhe kredi, patën normalisht vonesat e tyre. Edhe Italia ka vite që vijon të rekuperojë dëmet e shkaktuara nga tërmetet që e kanë goditur”.

Pëllumbi u shpreh se “pavarësisht procesit të vaksinimit, duhet të vijojmë të kemi një kujdes të shtuar në lidhje me masat që janë sugjeruar. Jemi në kushtet që ende po humbim jetë qytetarësh dhe duhet të mendojmë për luftën me armikun e padukshëm, sesa për votat”.

Kur u pyet për premtimin për ujë 24 orë të kryeministrit Edi Rama, Pëllumbi tha: “Mandati i dytë u pre në mes. Në mandatin tjetër, qytete si Tirana, Durrësi dhe Vlora do të kenë ujë 24 orë. Tirana, nga 3-4 orë ujë në ditë që kishte, sot ka 17. E kuptoj që të flasësh sot për ujë 24 orë, është diçka që duhet të kishte përfunduar me kohë, por ashtu siç e gjetëm, ishte maksimumi që mund të bënim”.