Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Kampi famëkeq i Tepelenës, Repishta: Fytyra më e zezë e regjimit komunist. Të nisë kërkimi i të pagjeturve

Nga A2 CNN
13 Korrik 2021, 22:16 | Aktualitet
Kampi famëkeq i Tepelenës, Repishta: Fytyra më e zezë e

“Tepelena tregon fytyrën më të zezë të regjimit komunist, ku u dënuan gra e fëmijë, të rinj, pleq, të pafajshëm dhe kundërshtarë të regjimit”. Kështu u shpreh në studion e “Absolut 4” drejtuesja e kërkimit shkencor në AIDSSH, Aida Repishta, e cila bëri thirrje për kërkimin e të pagjeturve.

“Tepelena është vendi ku duhet të nisë kërkimi i të pagjeturve dhe t’u dërgohen familjeve. Tepelena është një plagë dhe një njollë e shoqërisë me të cilën shoqëria nuk është marrë dhe që duhet të trajtohet seriozisht”.

Duke sjellë në vëmendje një nga dëshmitë rrëqethëse të pelegrinazheve që kanë punuar rreth kampit, ku hasën eshtra fëmijësh, që sipas saj ato vazhdojnë të qëndrojnë atje.

“Në Tepelenë ne shkojmë për vit në ditën e totalitarizmit, të gjithë mblidhen në kujtim të familjarëve dhe me thirrje për shtetin që nuk po u përgjigjet për gjetjen e familjarëve të tyre. Një ndër dëshmitë e pelegrinazheve që kanë punuar rreth kampit është e personave që hasën eshtra fëmijësh dhe ata e ndaluan punën se ishte e pamundur dhe ato eshtra vazhdojnë të jenë atje”.

Repishta tregoi edhe për vështirësitë e hasura në gjetjen e personave të humbur për mungesë dokumentacioni. Sipas saj nuk ka ende një shifër të saktë të tyre.

“Na ka bërë përshtypje vështirësia në gjetjen e njerëzve të humbur, që lidhet me ligjet e shtetit komunist dhe periudhën ku një pjesë e dokumentacionit nuk u mor nga familjarët. Raste të tilla janë të të dënuarve politikë. Një ndër arsyet pse familjarët kanë vështirësi t’i gjejnë është pse u varrosën nga rojet e burgut. Për një pjesë janë ruajtur harta, por trupi nuk i jepej familjes. Ata nuk i gjen  dot se dokumentet nuk janë vënë në dispozicion dhe të dënuarit e tyre vazhduan të ishin të burgosur pas vdekjes dhe vazhdojnë të dënuar edhe nga shoqëria sot. Nuk kemi një shifër të saktë”.

Për studiuesin Erald Kapri, Tepelena duhet të studiohet më mirë dhe të bëhet muze, pasi ka shumë pak dëshmi dhe mungon mekanizmi ligjor që u përdor.

“Mohimi i Tepelenës ndodh për shkak të natyrës së krimeve në Shqipëri. Tepelena është një plagë e hapur dhe uroj që të bëhet muze, se kanë dalë fjalë që do të bëhet fushë futbolli dhe zhdukja e saj do të ishte tragjedi kombëtare. Duhet të krijohet ideja si ka funksionuar kampi. Tepelena duhet të studiohet ka shumë pak dëshmi, na mungon mekanizmi dhe baza ligjore që u përdor, dokumentimi i krimeve që u bënë aty. E kanë bërë vende të tjera. Nuk ka një firmë dhe dokument se ç’ndodh për zhdukjen e hebrenjve, po ka dëshmi dhe këtë duhet të bëjmë edhe ne”.

Anëtari i Institutit për Informimin për dosjet e ish-sigurimit të shtetit Simon Mirakaj, thotë se në kampin e Tepelenës kanë vdekur 300 fëmijë dhe të gjithë janë lënë pa varr qëllimisht.

“Sikur dy të pafajshëm të jenë pushkatuar është krim. Kanë vdekur 300 fëmijë dhe janë të gjithë pa varr, janë lënë pa varr qëllimisht, janë zhvarrosur 3 herë dhe herën e fundit i çuan buzë lumit që t’i merrte eshtrat”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë