Lavrov dhe Zelensky në një tryezë, lideri ukrainas: Nëse Trump e di si ndalon lufta, të na e thotë

Nga A2 CNN
20 Shtator 2023, 08:43 | A2 CNN në Ukrainë
Lavrov dhe Zelensky në një tryezë, lideri ukrainas: Nëse

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Serghei Lavrov ka mbërritur në Nju-Jork ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Shefi i diplomacisë së Kremlinit do të jetë i pranishëm në tryezën e Këshillit të Sigurisë për Ukrainë, ku pritet të jetë pjesë dhe presidenti Volodymyr Zelensky.

Mbrëmjen e kaluar, lideri ukrainas mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku u prit me ovacione nga të pranishmit.

Gjatë fjalimit, i cili u përqendrua shumë në rrezikun që Rusia paraqet për botën, ai argumentoi se sfidat e tjera të përbashkëta, si ndryshimi i klimës, mund të trajtohen siç duhet vetëm pasi Moskës t’i jetë treguar vendi.

“Ndërsa Rusia po e shtyn botën drejt luftës përfundimtare, Ukraina po bën gjithçka për të siguruar që pas agresionit rus askush në botë nuk do të guxojë të sulmojë asnjë komb”, u tha Zelensky liderëve botërorë që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme vjetore.

Ai theksoi gjithashtu se Rusia thjesht nuk ka “të drejtë të mbajë armë bërthamore”.

“Armatimi duhet të frenohet, krimet e luftës duhet të ndëshkohen, njerëzit e dëbuar duhet të kthehen në shtëpi dhe pushtuesi duhet të kthehet në tokën e tij. Duhet të jemi të bashkuar për t’ia dalë dhe do ta bëjmë!”. Ai gjithashtu akuzoi Moskën për “gjenocid” duke rrëmbyer fëmijë ukrainas.

Më vonë, Zelensky dha një intervistë për CNN, ku shprehu nevojën e menjëhershme të Ukrainës për avionë luftarakë F-16. Lideri ukrainas shprehu besimin se Rusia nuk do ta fitojë këtë luftë, teksa bëri ironi dhe me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

“Putin nuk do ta fitojë këtë luftë. Ukraina ka nevojë ta përfundojë këtë konflikt sa më shpejt, por për këtë na duhen menjëherë avionët F-16. Nëse Donald Trump di formulën për t’i dhënë fund luftës të na e thotë”, u shpreh mes të tjerash Zelensky për CNN.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi