Kreu i Dumës Ruse (dhoma e ulët e Parlamentit), Vyacheslav Volodin, ka deklaruar se Ukraina është e destinuar të kapitullojë sipas kushteve të Moskës ose të pushojë së ekzistuari si shtet.
Në deklaratat e publikuara nga agjencia shtetërore ruse TASS, Volodin mësohet të ketë thënë: “Kur diskutohet për konfliktin në Ukrainë, Presidenti amerikan Joe Biden, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë kanë filluar ta quajnë atë një “luftë shkatërruese”. Ata kanë investuar shuma të mëdha parash në militarizimin e regjimit të Kievit”, ka thënë ky politikan rus.
“Perëndimi po përjeton mungesë të armëve dhe municioneve dhe njerëzit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kanë humbur besimin te politikanët e regjimit të Kievit. Kundërofensiva ka dështuar dhe rezultati është “lufta shkatërruese” e lartpërmendur, e cila përfshin gjithashtu probleme ekonomike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, mungesën e fuqisë punëtore për forcat ukrainase dhe në fund, falimentimin dhe fatkeqësinë demografike. Më shumë se 10,5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina. 11,2 milionë banorë të tjerë të Krimesë, Sevastopolit, Republikave Popullore të Donetskut, Luhanskut dhe rajoneve të Khersonit dhe Zaporizhzhisë vendosën t’i bashkohen Rusisë. Ukraina ka humbur 53,7% të popullsisë së saj që nga viti 2014”, theksoi Presidenti i Dumës.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Volodin ka theksuar se ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, deklaroi në qershor se vendeve perëndimore u mbaruan rezervat e armëve që mund t’i dërgonin në Kiev nga arsenalet e tyre kombëtare. Nga ana tjetër, Biden pranoi në korrik se vendimi për të furnizuar Ukrainën me bomba thërrmuese ishte motivuar nga fakti se rezervat e municioneve konvencionale ishin drejt mbarimit.
Në fund, Volodin tha: “Ekonomitë e vendeve të eurozonës po kalojnë një recesion. Kostot e militarizimit të Ukrainës e kanë detyruar Gjermaninë të shkurtojë pagesat e përfitimeve për familjet e varfra. Franca ka reduktuar numrin e përfituesve. Agjencitë ndërkombëtare kanë ulur vlerësimin e investimeve afatgjata të Shteteve të Bashkuara, sepse presin që situata financiare e vendit të përkeqësohet gjatë tri viteve të ardhshme”. (A2 Televizion)