Sot fillon viti i ri akademik, ndërsa rreth 19 mijë studentë pritet të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve publike dhe private të vendit.
Këtë vit, nis aplikimi i masës së vendosur nga qeveria për 400 studentët e Mjekësisë së Përgjithshme, të cilën e kanë tashmë të detyruar qëndrimin dhe punën në atdhe, 5 vjet pas studimeve.
Për studentët e viteve më të larta, kushti është për më pak vite, në të kundërt do të paguajnë tarifën e plotë të shkollimit.
Studentët që zgjedhin degët prioritare, mësuesi, bujqësi do të financohen çdo muaj me bursë në vlerën e pagës minimale. Kjo bursë do të jepet gjatë gjithë viteve të studimeve të larta, pavarësisht rezultateve të studentit.
Pas përfundimit të universitetit, studentët e degëve prioritare duhet të punojnë të paktën 3 vite në atdhe.
Një nga sfidat e universiteteve shqiptare është përafrimi i programeve me ato të universiteteve europiane. Por duket se jemi ende shumë larg universiteteve europiane.
Këtë e tregojnë edhe vlerësimet e fundit të bëra nga dy renditësit më të rëndësishëm të universiteteve në botë.
Sipas klasifikimit të tyre, katër universitete shqiptare, ai i Tiranës, Universiteti Bujqësor, i Durrësit dhe Universiteti Politeknik, kanë rënë me 200 vende nga renditja e vitit të kaluar. Ndërsa më të mirët në rajon vlerësohen 3 universitete në Serbi, 2 në Bosnjë dhe 1 në Maqedoni. (A2 Televizion)