Balla në terren, Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së për shuarjen e zjarrit në Pishporo

Nga A2 CNN
1 Tetor 2023, 11:59 | Aktualitet
Balla në terren, Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së

Teksa flakët në bregdetin e Pishporos vijojnë të përhapen me shpejtësi në masivin pyjor, në terren ka zbritur ministri i Brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar nga prefekti i qarkut Lefter Shehaj dhe kryebashkiaku Armando Subashi.

Balla ka folur për mediat duke bërë me dije se në orët në vijim do të ketë përforcime me mjete zjarrfikëse nga qarqet fqinje dhe i gjithë vendi.

Ai po ashtu ka deklaruar se Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht ndihmë Bashkimit Europian duke bërë thirrje për aktivizimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, që do të mundësonte ndërhyrjen e nevojshme nga ajri në zonë.

Jemi këtu me kryetarin e bashkisë, prefektin dhe autoritet e tjera që kanë drejtuar prej ditësh këtë operacion për të vënë në kontroll zjarrin në këtë zonë. Është e vështirë për shkak të erës të vësh në kontroll zjarrin në këtë zonë. Sapo kemi marrë bashkë me Ministrin e Mbrojtjes vendimin për të depozituar zyrtarisht kërkesën pranë Mekanizmit Europain të Mbrojtjes Civile për ndihmë. Shpresoj që në orët në vijim të kemi mbështetje nga forcat e vendeve fqinje, kryesisht Italisë apo Greqisë, që të mundësojnë një ndërhyrje nga ajri. Siç e specifikova vendosja e mekanizmit në lëvizje është procedurë që i takon Komisionit Europian. Shpresojmë që mbështetja të mos vonojë. Është e pamundur që kjo situatë të përballohet vetëm me forcat tona zjarrfikëse. Kjo është një zonë që për shkak të mungesës së rrugëve të ishte e vështirë ndërhyrja.”

Ministri i Brendshëm është shprehur se në vijimësi do të ketë një vëmendje më të shtuar për masivet pyjore dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura do të investohet për hapjen e korridoreve rrugore, në mënyrë që në raste zjarri situata të menaxhohet më lehtë.

Duhet që pas kësaj situate në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura të bëjmë të mundur një rrjet rrugësh për të shmangur ngjarje të ngjashme”, tha Balla.

Balla më tej u ndal edhe një herë te zjarrvënia si një vepër e rëndë penale, duke kërkuar dënime ekzemplare për zjarrvënësit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani