Ballkani është gati për Dinamo Zagrebin. Dardanët duan ta vazhdojnë këtë ëndërr në arenën europiane dhe pse diferencat me kundërshtarët në grup janë të mëdha.
Skuadra e Ilir Dajës mbylli përgatitjet në Prishtinë. Morali dhe besimi në skuadër mbetet i lartë. Edhe pse përballë kanë gjigantët kroatë të Dinamo Zagrebit, te grupi ka optimizëm se mund të bëjnë mirë dhe të marrin një rezultat pozitiv.
Dueli Ballkani-Dinamo Zagrebit luhet sot duke nisur prej orës 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sa i përket dueleve të tjera, vëmendja është dhe te dyshja tjetër e shqiptarëve në Conference League, Muçi dhe Çelhaka me Legian e Varshavës.
Pas paraqitjes spektakolare që bëri përballë Aston Villas, Muçi këtë herë përballet me Alkmaar një tjetër kundërshtar i fortë dhe me potencial.
Edhe këtë ndeshje lojtari kuqezi do ta nisi që nga minuta e parë, duke u kthyer në një titullar të padiskutueshëm tashmë për polakët.
Sa i përket dueleve të tjera, Fiorentina përballet me hungarezët e Ferencvarosh, Aston Villa luan me Zrinjski, grekët e Paok luajnë me Frankfurt, ndërsa Bodo Glimt përballet me belgët e Club Brugge. (A2 Televizion)