
Dy ndeshje dhe gjashtë pikë të plota. Ecuri perfekte si rrallëherë në startin e edicionit. Përfaqësuesja Shpresa e drejtuar nga Alban Bushi ëndërron Kampionatin Europian të vitit 2025. Shpresat janë të mëdha, pas dy fitoreve ndaj bashkëmoshatarëve të Armenisë dhe Rumanisë.
Drejtuesi i stolit kuqezi publikoi listën me 24 futbollistë të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës kundër Finlandës dhe Malit të Zi. Rezultatet pozitive do të bënin që 21-vjeçarët e Shqipërisë të hidhnin hapa të rëndësishëm drejt kualifikimit.
Shpresat nisin grumbullimin më 8 tetor në Durrës. Dhjetë futbollistë luajnë në kampionatin shqiptar, ndërsa të tjerët aktivizohen në ekipe jashtë vendit.
Në listë nuk mungojnë risitë, me portierin Lenja të Luzit që grumbullohet për herë të parë, ashtu si Boçi i Leço-s në Serie B, Shabani i ekipit të dytë të Mainz apo sulmuesi Dion Berisha i skuadrës së dytë të Bayern.
Pas përgatitjeve disaditore, Shpresat do të udhëtojnë drejt Finlandës, ku do të luajnë më 13 tetor në stadiumin Veritas në Turku. Ata do të kthehen në Shqipëri për ndeshjen e datës 17 me Malin e Zi në Egnatia Arena.
Një tjetër kundërshtar i kuqezinjve në grupin E kualifikues të Euro 2025 është edhe Zvicra, që cilësohet edhe si skuadra më e fort. Megjithatë, me dy fitore në dy ndeshjet e para, Shpresat e Alban Bushit besojnë se mund t’ia dalin.