Kanibalizmi ishte një praktike rutinë gjatë funeraleve në Europë rreth 15 mijë vite më parë. Ky është përfundimi i një studimi të fundit, sipas të cilit, njerëzit e asaj kohë nuk i hanin të vdekurit e tyre nga nevoja, por më tepër si pjesë e kulturës së tyre.
Më herët, studiuesit kanë gjetur kocka të gërvishtura dhe kafka njerëzore të kthyera në filaxhanë në Shpellën Gough në Angli dhe, studimi i botuar në revistën “Quaternary Science Revieës” sugjeron se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar.
Hulumtimi i tyre u fokusua në periudhën Magdalene të epokës së vonë të Paleolitit të Sipërm. Magdalenasit jetuan rreth 11,000 deri në 17,000 vjet më parë.
Ekspertët në Muzeun Historik Kombëtar të Londrës shqyrtuan literaturën për të identifikuar 59 vende Magdalene që kanë mbetje njerëzore.
Shumica ishin në Francë, ndërsa u zbuluan edhe në Gjermani, Spanjë, Rusi, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Poloni, Republikën Çeke dhe Portugali.
Ata mundën që të interpretonin sjelljet funerale në 25 nga vendet e gjetura. Në 15 raste, u gjetën prova të mbetjeve njerëzore me shenja përtypëse, shenja prerjesh në kafkë, kocka të thyera qëllimisht në një model të lidhur me nxjerrjen e palcës së eshtrave për lëndë ushqyese, që tregon se kanibalizmi praktikohej.
Kishte gjithashtu prova që sugjeronin se në disa raste mbetjet njerëzore ishin përzier me ato të kafshëve.
Manipulimi ritual i mbetjeve njerëzore dhe shfaqja e tij e shpeshtë në vende në të gjithë Evropën veriore dhe perëndimore sugjeron që kanibalizmi ishte një praktikë varrimi, në vend që të plotësonte dietën, e përhapur në kulturën Magdalene.
Studiuesit arritën po ashtu të merrnin informacion gjenetik nga tetë site dhe ta kombinonin atë me provat arkeologjike për të identifikuar një marrëdhënie mes sjelljes gjatë funeraleve dhe prejardhjes gjenetike.
Ata zbuluan dy grupe të dallueshme stërgjyshore të pranishme në rajon gjatë asaj periudhe, një i kulturës Magdalene dhe tjetri i quajtur Epigravetian, një kulturë njerëzore e ndryshme evropiane dhe gjeografikisht e dallueshme.
Studiuesit zbuluan se ata që i përkisnin kulturës Magdalene në Evropën veriperëndimore preferonin t’i hanin të vdekurit, ndërsa njerëzit nga kultura Epigravetiane preferonin t’i varrosnin. (A2 Televizion)