10 km marshim, nis eksodi i familjeve nga qyteti i Gazës. Hamasi lëshon qindra raketa në Ashkelon

Nga A2 CNN
13 Tetor 2023, 09:54 | Bota
10 km marshim, nis eksodi i familjeve nga qyteti i Gazës. Hamasi

Në ditën e shtatë të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, mijëra njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre në qytetin e Gazës dhe po shkojnë në jug, pas paralajmërimit të ushtrisë izraelite se veriu i Rripit do të bëhet një zonë e operacioneve ushtarake.

Është një marshim prej të paktën 10 kilometrash, i ndërmarrë nga familje të tëra. Ata që nuk kanë mjete transporti vazhdojnë në këmbë me bagazhet e tyre.

Mjekët dhe pacientët do të mbeten në zonën e rrezikut, në mungesë të ambulancave dhe zgjidhjeve adekuate për shtrimin në spital të të sëmurëve më të rëndë.

Hamasi i kishte bërë thirrje popullatës që të mos lëvizte, duke e cilësuar njoftimin e ushtrisë izraelite “propagandë”. Po kështu, edhe OKB-ja kërkoi që të anulohej urdhri i evakuimit.

Hamasi mori përgjegjësinë për lëshimin e të paktën 150 raketave në Ashkelon, në jug të Izraelit, pasi ushtria izraelite i njoftoi popullatës së Rripit se po tërhiqej nga veriu i enklavës palestineze.

Bombardimet e rënda izraelite goditën edhe Rripin e Gazës gjatë natës. Forcat izraelite goditën “750 objektiva ushtarakë mbrëmë, duke përfshirë tunele terroriste nëntokësore të Hamasit, komplekse dhe poste ushtarake, rezidenca të figurave të larta terroriste të përdorura si qendra komanduese ushtarake, depo armësh, dhoma komunikimi dhe kanë shënjestruar figura të larta terroriste”, tha Forca Ajrore Izraelite.

Izraeli thotë se ka hedhur 6000 bomba, me peshë 4000 tonë, në objektivat e Hamasit në Gaza në gjashtë ditë, duke goditur më shumë se 3600 objektiva.  

Sipas burimeve të Hamasit, trembëdhjetë pengje, duke përfshirë disa të huaj, u vranë në sulmet izraelite në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos