Konflikti i Izraelit me Hamasin, Britania nis anije, avionë dhe ushtarë në Mesdheun lindor

Nga A2 CNN
13 Tetor 2023, 09:54 | Bota
Konflikti i Izraelit me Hamasin, Britania nis anije, avionë dhe

Nuk është vetëm Amerika, aleatja që është zotuar të mbrojë me çdo kusht Izraelin në kushtet e një lufte, ku qeveria në Jerusalem synon fundin e grupimit ushtarak të Hamasit.

Pasi Antony Blinken paralajmëroi të gjitha shtetet që të mos guxojnë të sulmojnë Izraelin sa kohë ekziston Amerika, si dhe u kujtoi stacionimin e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford në Mesdheun lindor, edhe Britania e Madhe e Gjermani po ndjekin hapa të ngjashëm.

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të dërgojë anije, marinsat mbretërorë dhe aeroplanë spiunazhi për të ndihmuar Izraelin në terren, ndërsa Berlini zyrtar ka vendosur të japë hua dronë për të bombarduar Gazën teksa flota amerikane qëndron e gatshme në çdo moment për të intervenuar.

Rishi Sunak ka miratuar paketën ushtarake, ditën e djeshme, ndërsa qeveria do të shtojë numrin e fluturimeve për evakuimin e rreth 60.000 britanikëve që jetojnë në Izrael dhe Gaza.

Përkrah aleatëve tanë, vendosja e ushtrisë sonë të klasit botëror do të mbështesë përpjekjet për të siguruar stabilitetin rajonal dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha Sunak teksa njoftonte mbështetjen për Izraelin.

Downing Street bën me dije se anijet patrulluese të Marinës Mbretërore, aeroplanët spiunë dhe ushtarët do të nisen sot drejt rajonit, për t’u vendosur, po ashtu, në Mesdheun lindor.

Paketa ushtarake përfshin aeroplanë P8, asete mbikëqyrjeje, dy anije të Marinës Mbretërore, anijet Ndihmëse të Flotës Mbretërore (RFA) Lyme Bay dhe Argus, tre helikopterë Merlin dhe një kompani e Marinsave Mbretërore.

Dy avionët e vëzhgimit do të fluturojnë nesër për në bazën britanike RAF Akrotiri në Qipro dhe nga atje, ata mund të kryejnë misione vëzhgimi mbi Gazën dhe Izraelin.

Ato do të përdoren për të gjurmuar kërcënimet, duke përfshirë transferimin e armëve te grupet terroriste.

Sakaq, një grup pune i Marinës Mbretërore do të zhvendoset gjithashtu në Mesdheun lindor, javën e ardhshme, si një masë emergjente për të mbështetur përpjekjet humanitare.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu