Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për dy shtetasit Algert Atia dhe Adrian Bello. Dy shtetasit në fjalë, respektivisht 34 dhe 51 vjeç u arrestuan 2 ditë më parë në kuadër të operacionit policor “Fluksi”.
Algert Atia ishte shofer i parë dhe Adrian Bello shofer i dytë i autobuzit, ku policia e Durrësit sekuestroi 176 190 euro, 500 dollarë, 50 euro të falsifikuara, një pako me fishekë çifteje dhe një sasi mallrash.
Ardian Bello, shoferi i dytë i autobusit ka marrë përsipër sasinë e eurove. Ai është shprehur se paratë i ka marrë te persona të ndryshëm në Itali dhe për transportin merrte një përqindje të caktuar.
“Eurot i kam marrë te persona të ndryshëm në Itali për t’i sjellë te familjarët e tyre këtu në Shqipëri. Për transportin e eurove merrja një përqindje”.
Nga ana tjetër, Algert Atia ka deklaruar se nuk kishte dijeni për sasinë e eurove.
“Unë kam vetëm pak ditë që kam filluar punë si shofer i dytë i autobusit. Nuk kam dijeni për sasinë eurove të ndaluara.”
Dy shtetasit e ndaluar tentuan t’i kontrabandonin paratë dhe mallrat e sekuestruara në vendin tonë. Aksioni policor i zhvilluar në fundjavë ishte faza e 5-të të operacionit të koduar “Fluksi”.
“Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit të Durrës dhe me autoritetet doganore të këtij porti, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Shtetit, kaloi për kontroll të imtësishëm në vijë të dytë, autobusin që vinte me tragetin e linjës Bari-Durrës, i cili dyshohej se transportonte një shumë të madhe parash dhe mallra”. (A2 Televizion)