Hapësirë për të gjithë lojtarët. Pas fitores me Republikën Çeke, trajneri Sylvinho ka ndryshuar më tepër se gjysmën e formacionit titullar për Bullgarinë.
Trajneri kërkon ta shfrytëzojë miqësoren që t’i japë minuta të gjithë futbollistëve të grumbulluar. Kjo ka bërë që në fushë të zbresin vetëm katër nga titullarët e sfidës së 12 tetorit.
Në portë do të aktivizohet Strakosha në vend të Berishës. Në mbrojtje qëndrojnë vetëm Mitaj nga e majta dhe Ajeti në qendër. Përkrah këtij të fundit do të aktivizohet Mihaj, teksa në krahun e djathtë do të luajë Balliu.
Qazim Laçi zëvendëson Ramadanin, teksa Asllani e Bajrami mbeten të pandryshuar. Edhe Asani do të vijojë të luajë titullar nga e djathta, teksa pjesë e manovrës ofensive do të jenë edhe Ernest Muçi dhe Myrto Uzuni.
Ky është formacioni i mundshëm që tekniku kuqezi pritet të propozojë në testin e kësaj të marte. Minuta pritet të kenë edhe Daku, Gjasula, Veseli por edhe portieri i tretë, Kastrati.
Të gjithë kanë shansin të tregojnë cilësitë e tyre, jo vetëm për të pretenduar një vend në formacionin titullar, por edhe për të konfirmuar se kanë kualitetin të grumbullohen në finalet e Euro2024. Shqipëria luan sipas skemës 4-2-3-1. (A2 Televizion)