
Shqipëria U21 ka dalë triumfuese nga ndeshja e katërt e luajtur në kuadër të kualifikueseve për Europianin 2025, që u luajt në “Egnatia Arena” përballë Malit të Zi.
Dy gola për secilën pjesë të lojës i kanë mjaftuar kuqezinjve të vegjël të Alban Bushit për të dalë triumfues dhe për t’u bërë edhe njëherë liderë të Grupit E, ku bëjnë pjesë ekipe me kualitet si Zvicra dhe Rumania.
Për Shqipërinë goli i parë u shënua në minutën e 27-të nga Berisha, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Në pjesën e dytë, presioni i shtuar nga djemtë e Bushit solli golin e dytë, nga Stiven Shpendi, që i dha siguri e qetësi ekipit duke shkundur rrjetën në minutën e 73-të.
Vlen të theksohet se kuqezinjtë patën avantazhin numerik në fushë që nga minuta e 39-të, kur kartoni i dytë i verdhë për Bajovic la miqtë me një lojtar më pak në fushë.
Pas një asisti të bukur nga krahët të Rexhepit, Shpendi nuk fali nga fare pranë portës. Deri në fundin e takimit nuk pati ndryshim rezultati, me 3 pikët e arta që shkojnë për vendasit.
Kështu, Shqipëria U21 kryeson grupin me 9 pikë. Në krahun tjetër, të rinjtë malazez janë në vendin e pestë me 3 pikë.
Shqipëria tashmë është “kokë” grupi me 9 pikë të grumbulluara në katër ndeshje, duke regjistruar vetëm një humbje me Finlandën, në transfertë. (A2 Televizion)