3 flamuj të kuq dhe aksidente pa fund, Verstappen fiton mes kaosit australian

Nga A2 CNN
2 Prill 2023, 15:29 | Sporte të tjera

Aksidente të shumta dhe tre flamuj të kuq. Mes kaosit dhe emocioneve, Max Verstappen ia ka dalë të sigurojë fitoren e dytë sezonale në Botërorin e Formula 1. Në podiumin e garës së Australisë u ngjitën dhe Hamilton e Alonso, përkatësisht vendi i dytë dhe i tretë.

Gara nisi me një ritëm të çmendur, por zhgënjim kishte për makinat Ferrarit. Carlos Sainz përfundoi në vendin e 12, pas një penalizimi në xhirot e fundit të garës, ndërsa Charles Leclerc e mbyllIi garën para kohe, pas një kontakti me Stroll që në kthesat e para të saj.

Dyshja e Mercedesit kryesoi garën deri në xhiron e shtatë, pasi u desh ndërhyrja e makinës së sigurisë pas një aksidenti të Albon. Me kalimin e xhirove hyri në fuqi flamuri i kuq për të pastruar pistën.

Fati nuk ishte në anën e Russell, pasi motori e la në baltë dhe u detyrua të tërhiqej nga gara para kohe. Kur kishin mbetur vetëm katër xhiro nga fundi, Magnussen bëri aksident dhe detyroi sërish makinën e sigurisë të ndërhynte, ndërsa sërish hyri në fuqi flamuri i kuq.

Pas disa minutash ndërprerje, makinat u rikthyen në pistë dhe sërish ritmi mbeti i lartë. Sainz goditi Alonson, ndërkohë në prapavijë dy makinat Alpine u përplasën duke sjellë sërish flamurin e kuq. Në xhiron e fundit nën regjimin e makinës së sigurisë, Alonso pavarësisht se doli jashtë piste, komisarët e garës vendosën që ai të mos e humbiste vendin e tretë. Kjo për shkak se në momentin që ndodhi aksidenti nuk ishte kryer një xhiro e plotë dhe kështu u lanë në fuqi pozicionet e mëparshme. Verstappen mbeti i pari, ndjekur nga Hamilton dhe Alonso.

Gara e radhës në Formula 1 është fundjavën tjetër, më 10 prill, në Azerbajxhan.  

A2 CNN Livestream

A2 Sport