3600 raste në Korçë, mjekja psikiatre: temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin mendor

Nga A2 CNN
13 Gusht 2023, 12:52 | Aktualitet
3600 raste në Korçë, mjekja psikiatre: temperaturat e larta

Numri i personave që shfaqin probleme të shëndetit mendor ka pësuar një rritje kohët e fundit. Kështu shprehet mjekja psikiatër, Nikolina Bode, e cila pohon se vetëm në qarkun e Korçës janë mbi 3600 persona të regjistruar pranë autoriteteve.

Sipas mjekes, i nxehti e ka agravuar situatën e tyre duke i bërë më agresiv dhe duke rritur riskun e krimit në familje.

“Sot kemi të kartelizuar më shumë se 3600 persona të shëndetit mendor, flasim për probleme kronike, pa përmendur këtu problemet akute, urgjencat e shëndetit mendor apo raste që na paraqiten çdo ditë në klinikë”, tregon Nikolina Bode.

Mjekja tregon dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në shtimin e numrit të personave me probleme të shëndetit mendor. 

“Problemet e shëndetit mendor janë në rritje dhe ndikojnë shumë faktorë, socialë, ekonomikë, emigracioni. Sidomos kjo periudhë, temperaturat e larta të shoqëruara me pagjumësinë, pavarësisht se në qytetin tonë që kemi një klimë të freskët ne arritëm maksimumin e viteve të fundit këtë verë. Kjo ndikoi negativisht”, shtoi mjekja.

Nikolina Bode shprehet se personat me probleme të shëndetit mendor mund të shfaqin shenja agresiviteti, nisur dhe nga ngjarja e ndodhur në Maliq ku Ramiz Muçllari, u vra nga RENEA pasi i armatosur refuzoi të dorëzohej tek organet ligjzbatuese, pas një sherri me familjarët e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos