
Është konsideruar deri më tani si biblioteka e vjetër. E deri më tani funksiononte si një aneks i Bibliotekës Kombëtare. Mirëpo tani, ajo është gati të shërbejë libra për qytetarët.
Prej disa vitesh, Biblioteka Kombëtare nuk ka mundësi që të huazojë libra. Madje, edhe lexim në sallat e vjetra të godinës që mori flakë e u përmbyt brenda pak vitesh. Por, në ish-godinën e bibliotekës, pranë Urës së Tabakëve, një aneks i bilbliotekës është kthyer në një qendër libri, ku leximi apo studimi në sallat e saj bëhet më i këndshëm.
Prej vitesh edhe kjo pjesë e historisë së Bibliotekës Kombëtare ishte lënë në harresë. Gjendja e mjerueshme e librave thërriste për ndhmë, por vetëm këtë verë të vitit 2023 ajo do të hapte dyert e restauruar. Për shumë vite me radhë kjo ndërtesë që gjendet pranë Urës së Tabakëve ka shërbyer si një “aneks” i Bibliotekës Kombëtare, në të cilin mbaheshin të mbyllura disa qindra mijëra libra, kryesisht prej atyre që pas Luftës së Dytë Botërore qenë konfiksuar nga individë apo institucione të ndryshme. Tashmë, e gjithë kjo pasuri po vihet më në fund në dispozicion të publikut në një ndërtesë të rijetëzuar e që nga këtej e tutje do ta njohim si Qendra “Sotir Kolea”.
Ndërtesa në vetvete ka edhe një vlerë të dyfishtë historike, pasi po aty, në vitin 1912, u ngrit për herë të parë në Tiranë flamuri shqiptar pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, ndërsa më 1920 aty u vendos qeveria e parë e dalë kur Tirana u caktua si kryeqyteti i Shqipërisë. Ky monument kulture i kategorisë II” tanimë është gati të presë dashamirësit e librit. Të gjitha punimet e ndara në tri faza kanë kushtuar rreth 81 milionë lekë.
Qendra është organizuar në salla sipas gjuhëve të ndryshme, si franceze, gjermane, italiane, orientale, ruse, por edhe salla “Herbert” dhe “Lumo Skëndo”. Andreas Dushi do t’ju presë te qendra e re e librit “Sotir Kolea” në Tiranë, studiues e student, dashamirës e miq të mirë të librit do të gjejnë një koleksion të pasur veprash në gjuhën shqipe dhe të huaj.
Përpara se të dilte në pension, Lumturi Muça lidhi edhe gazetat e fundit në qendrën e re “Sotir Kolea”. Programi EU 4 Culture i financuar nga BE, zbatuar nga UNOPS Albania në partneritet me Ministrinë e Kulturës, ka prokuruar dhe dorëzuar pajisje moderne restauruese me vlerë 667,174 dollarë (afërsisht 621,672 euro) për Njësinë e Restaurimit të Fondit të Bibliotekës Kombëtare Shqiptare.
Qendra “Sotir Kolea” mban emrin e një personaliteti të kulturës shqiptare, i cili, si drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë gjatë periudhës 1928-1937, dha një kontribut të veçantë në hedhjen e bazave të bibliotekonomisë në Shqipëri, si dhe pasurimin e koleksioneve me materiale albanologjike. (A2 Televizion)