Kryeministri Rama premtoi pak ditë më parë Pakon e Madhe 2, si ndihmë për qytetarët dhe konsumin. Teksa ka paralajmëruar edhe një rritje të mëtejshme të pagës minimale. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, paga minimale ka arritur aktualisht në 34 mijë lekë, duke u rritur 3 herë në tre vitet e fundit. me një total prej 8 mijë lekësh.
Për këtë të çështje u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business. Arbri Agalliu, deputet i partisë Demokratike, u shpreh se është qesharake të flitet për pagën minimale në momentin kur nuk dihet minimumi jetik.
“Në këto 30 vite, politika duhet të kishte nxjerrë se cili është minimumi jetik dhe ta përditësonte atë gjatë gjithë kohës. Paga minimale është një pagesë që do të dalë nga xhepat e bizneseve. Kjo do të thotë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit për sa i përket detyrimeve që paguhen. Kur themi pagë minimale, pa ditur minimumin jetik, kjo është qesharake. Do të duhej të ishte përcaktuar minimumi jetik, pastaj të flitej për pagën minimale. Ne jetojmë këtu dhe e dimë që paga minimale si 38 mijë apo 40 mijë është e pamjaftueshme për të jetuar në kushte normale një familje me 4 persona”, tha deputeti i PD. (A2 Televizion)