"Ekonomia në cikël rënës”, BERZH: Duhen reforma në rrafshin fiskal, te energjia dhe klima e biznesit

Nga A2 CNN
30 Janar 2023, 16:43 | Ekonomi
"Ekonomia në cikël rënës”, BERZH: Duhen reforma

Ekonomia ka hyrë në një cikël rënës, qeveria dhe institucionet shqiptare duhet veprojnë shpejt. Teksa paralajmëron për muaj të vështirë në Raportin e Tranzicionit 2022-2023, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kërkon ndërhyrje në rrafshin fiskal, përfshirë zgjerimin e bazës së taksueshme, mbledhjen e më shumë të ardhurave dhe reduktimin e parasë fizike në ekonomi.

BERZH pret që rritja ekonomike këtë vit të jetë 3 për qind, duke e zhvlerësuar rritjen me 0.3 për qind në raport me parashikimet e majit të vitit të shkuar.

“Për këtë vit, 2023 rritja mund të jetë pak më e ngadaltë nga sa ne prisnim në fillim dhe është në të njëjtën linjë me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore”, tha Christoph Denk, Drejtori i Strategjisë dhe Politikave në BERZH.

Institucioni më i madh kredi-dhënës europian kërkon gjithashtu ndërmarrjen e reformave në sektorin energjetik duke inkurajuar investimet në panelet fotovoltaike dhe ato eolike si dhe të përmirësimin e klimës së të bërit bizneset duke garantuar edhe sigurinë kibernetike.

Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko të gjitha këto reforma e madje perspektiva afatgjatë e rritjes kërcënohen nga emigracioni, veçanërisht ai te të rinjtë.

“Si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative të tij. Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë”, tha Sejko.

Drejtoresha e Zyrës së BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova, e pranishme gjatë prezantimit të gjetjeve, premtoi më shumë mbështetje financiare për vendin.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos