Shtrenjtimi i çmimeve dhe bllokadat në kufij si pasojë e luftës në Ukrainë ulën sasinë e mallrave të transportuar në hyrje dhe dalje të vendit gjatë vitit të shkuar. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se përpunimi i mallrave në rrugë detare u ul, kryesisht në Portin e Durrësit dhe atë të Vlorës. Sasia e produkteve të ngarkuara e shkarkuara arriti në pak më shumë se 3.8 milionë tonë, duke rënë kështu me 20.6 për qind në raport me 2021-shin. Rritje të lehtë me 1.4 për qind pati transporti nga ajri, ndërsa ai nëpërmjet hekurudhës u rrudh me 20.4 për qind.
Të dhënat e INSTAT tregojnë eksportet 12-mujorin e shkuar, me përjashtim të rrugëve kryesore, u kryen kryesisht nëpërmjet mjeteve lundruese ku sasia ra në më pak se 2.2 milionë tonë, 17.3 për qind më pak se në vitin 2021. Transporti i mallrave për eksport pësoi rritje nëpërmjet ajrit dhe hekurudhës, përkatësisht me 6.4 dhe 89.8 për qind.
Sasia e mallrave të blerë nga jashtë, të procesuar në porte ndërkohë ra me 10.3 për qind, ndërsa nga ajri u rrudh me 15.1 për qind. Rritje pati vetëm transporti i mallrave të importuar me hekurudhë.
Viti i shkuar shënoi ndërkohë nivel rekord për sa i përket transportit të njerëzve. Dy aeroportet ndërkombëtare, Tirana dhe Kukësi procesuan sipas të dhënave zyrtare mbi 5.2 milionë udhëtarë duke shënuar kështu një rritje me 78.9 për qind në raport me 2021-shin. Ndërkohë, transporti i njerëzve me tragete dhe trena ra me 58.4 dhe 55.8 për qind. (A2 Televizion)