Tatimi zero, Shkodra-deputetes socialiste: E bëtë biznesin e vogël parazit, s'bëhet politikë me ekonominë

Nga A2 CNN
25 Janar 2023, 22:34 | Ekonomi
Tatimi zero, Shkodra-deputetes socialiste: E bëtë biznesin e

Sonte në A2 Business u fol për pagat dhe për politikat e biznesit dhe qeverisë në një kohë kur diferenca mes të ardhurave që merr një punonjës në Shqipëri me një punonjës nga vendet e rajonit është e madhe.

Për politikat e biznesit dhe të qeverisë u përfshinë në një debat, Pranvera Resulaj, deputete e Partisë Socialiste dhe Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve.

Ky i fundit akuzon qeverinë se me politikën e saj për të mos tatuar biznesin e vogël e ka bërë këtë sektor parazit. Sipas tij, mënyra e tatimit nuk duhej të nisej fare nga madhësia e bizneseve, por duhej bërë me kategori biznesi.

Nuk i keni bërë ndonjë nder biznesit të vogël duke i hequr taksën dhe duke e mësuar që të mos paguajë kurrë taksa. Ky është skandal. Ju keni thënë publikisht se deri në 2029 biznesi nuk do të marrë fatura me TVSH. Që do të thotë, të prishësh me ligj zinxhirin e TVSH-së, është vetëm e qeverisë tuaj. Që do të thotë, i thua një çuni të ri që do të hapë biznes, hapeni dhe nuk do paguani kurrë tatime. Jo mo jo. Tatimet nuk duhej të ndaheshin fare biznes, i vogël biznes i madh. Tatimet bëhen me kategori biznesesh, jo biznes i madh, biznes i vogël. Ka mundësi të ndryshoni konceptin e tatimeve se na keni bërë çorbë...Në fund duhet të futet edhe kultura fiskale te njerëzit. Jo zero, TVSH, tatime dhe tani na thoni shih, çfarë keni bërë për biznesin e vogël. E keni bërë parazit. I thoni kurrë mos u rrit se po u rrite do tatohesh.

Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve

Por zonja Resulaj theksoi se me logjikën e fiskut, pragu i TVSH-së duhej të ishte zero, por ajo shtoi se qeveria Rama është e majtë dhe për këtë arsye nuk mund të ndërmarrë politika të djathta.

Argument ky që u kundërshtua nga Arben Shkodra i cili i kujtoi deputetes socialiste se biznesi ka nevojë për siguri fiskale dhe ligjore.

“Për ekonominë, nuk ka të majta apo të djathta. Biznesi nuk mund të ketë pasiguri fiskale apo ligjore se ju vini me ideologjitë tuaja. Unë do të doja, që ligji për procedurat tatimore të preket një herë në 10 vite. Paketa fiskale të jetë një herë në 7 vite. Nuk kemi pse bëni politikë të majtë apo të djathtë me ekonominë.”

Megjithatë, sipas zonjës Resulaj, qeveria është detyruar të bëjë ndryshime për procedurat tatimore për shkak të kulturës së munguar fiskale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos