Turizmi po rritet. Hyrjet dhe shpenzimet e të huajve kanë arritur në nivelet më të larta historike. Potenciali për zgjerim është edhe më i madh, por ai kërcënohet nga mungesa e punonjësve. Në këtë përfundim ka arritur Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara pas një pyetësori të zhvilluar me bizneset e hotelerisë.
“75 për qind e operatorëve turistikë që ne anketuam thonë që në pikun e turizmit, në kulmin e sezonit turistik ata kanë nevojë për rreth 35 për qind më shumë staf. të cilin nuk e gjejnë”, tha Eno Ngjela, Specialist Programi në PNUD.
Emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë janë arsyet kryesore, ndërsa numri i atyre që zgjedhin të studiojnë në këtë sektor nuk premton shumë për të ardhmen.
“Numri i të diplomuarve në shkollat profesionale për turizëm është rreth 400 në vit. Numri i atyre që shkojnë në kurse trajnimi është rreth 500 në vit, janë rreth 1 mijë vetë që dalin në sektorin e turizmit çdo vit, por duke pasur parasysh që një pjesë e madhe e tyre, në mos të gjithë ata që mbarojnë shkollën për hoteleri-turizëm kalojnë në universitet. Kështu që ata nuk janë direkt në tregun e punës”, tha Ngjela.
Ashtu si në shumë sektorë të tjerë, edhe operatorët turistikë i kanë hedhur sytë nga të huajt, por kjo sipas gjetjeve të PNUD nuk vlerësohet si zgjidhje afatgjatë.
“Është një realitet që për mendim tonë do të jetë prezent, por nga anketimi ynë rezulton se nuk bëhet me një perspektivë afatgjatë. Të gjithë mendojnë se kjo është afatshkurtër të hujt e punësuar janë sezonal”, tha Ngjela.
Të dhënat nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit tregojnë se ndonëse me luhatje ndër vite, sektori i turizmit punëson direkt dhe indirekt mbi 200 mijë vetë çdo vit. Kjo shifër arriti në mbi 260 mijë vitin e shkuar. (A2 Televizion)