Komisioni i Ekonomisë diskutoi sot aktin normativ të qeverisë që ndryshoi buxhetin në fund të vitit, për të akorduar Pakon e Madhe. Deputetët nuk kundërshtuan përmbajtjen e ndryshimeve, por faktin që po anashkalohet Kuvendi dhe propozimet e tij.
“Ju thashë në shtator që nuk do t’i realizoni dot shpenzimet. Ju thashë prapë në dhjetor që nuk do t’i realizoni dot shpenzimet. Pikërisht se nuk do të ndodhte kjo, dy ditë para vitit të ri u bë ky akt dhe shumë mirë. Tani ja ku jemi dhe shpenzimet nuk janë realizuar... Për çfarë duhet deputeti më? Kur nuk e dëgjon askush?”, tha Erion Braçe.
“E dhamë këtë alternativë për këtë që ju e quani pako e madhe e vitit të ri, a thua erdhi babagjyshi. Këto janë para që ju i keni përfituar nga rritja e çmimeve, që duhet të shkonin më shpejt te qytetarët”, tha deputeti Bujar Leskaj.
“Përjashtimi nga rregulli po bëhet rregull dhe kjo është e papranueshme. 50% e pagesave të shtetit bëhet në dhjetor dhe nuk e di se çfarë kurajë ka ministrja e financave që vazhdon po me këtë praktikë”, tha Jorida Tabaku.
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë kërkuar që të rikthehet normaliteti në zbatimin e buxhetit dhe të mos qeveriset më me akte normative. Ndërsa ish-zv.kryeministri Erion Braçe këmbënguli që pjesë e pakos së madhe duhet të ishin edhe fermerët. Seanca u zhvillua në mungesë të Ministres së Financave, pavarësisht kërkesës për shtyrje nga opozita.
Teksa 80% e Pakos së Madhe është shpërndarë tashmë tek përfituesit si punonjësit e administratës, pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike, akti normativ i qeverisë pritet të kalojë për formalitet në Kuvend. Ndërsa Komisioni i Ekonomisë vendosi të zhvillojë një seancë të posaçme dëgjimore me Ministren e Financave për të gjitha pyetjet e paadresuara. (A2 Televizion)