“Kur vjen puna tek sulmet kibernetike, asnjëherë nuk mund të kemi siguri 100%. Por, sistemi bankar është i sigurt deri në nivelin e mosprekjes së të dhënave.”
Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Spiro Brumbulli, i ftuar mbrëmjen e së premtes në “A2 Business” ku po diskutohet për sigurinë kibernetike të sistemeve në vend sidomos pas sulmeve të fundit.
Zoti Brumbulli shpjegon se ai që mund të jetë prekur nga hackerat është sistemi periferik i bankave, por jo ai që quhet “core business.” Kjo e fundit, sipas tij është zemra e sistemit ku bëhen edhe operacionet. Kurse, pjesa tjetër janë aplikacione periferike.
Sektori bankar është i sigurt deri në nivelin e mosprekjes së të dhënave. Në cdo moment që ndodh një sulm edhe ofruesi i shërbimeve merr masa për të ofruar një masë shtesë. Pra, sektori bankar është i sigurt. Nuk ka prekje të core business që e quajmë ne. Sepse kërkohen investime të tjera që të çahet firewalli që mbron këto të dhëna. Sistemi në banka funksionon në dy nivele: zemra, aty ku bëhen operacionet dhe janë pastaj aplikacionet periferikë, që lidhen më këtë core business dhe marrin të dhëna e i përpunojnë. Nxjerrin raporte...Dhe, hackerat kanë arritur të prekin deri tani një nga këta sistemet periferikë. Qëllimi i tyre ka qenë marrja dhe ndarja e të dhënave për të krijuar atë pakënaqësinë dhe mosbesimin ndaj bankës.
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave
I pyetur për rastin e fundit të sulmit ndaj një banke të nivelit të dytë, kreu i Shoqatës së Bankave tha se mund të bëhet fjalë për raporte që gjenden në sistemet periferike të bankave. (A2 Televizion)