Nga punësimi te mbrojtja sociale,19 reformat që qeveria planifikon të marrë në harkun 2023-2025

Nga A2 CNN
19 Janar 2023, 13:36 | Ekonomi

Nga punësimi te mbrojtja sociale, energjia dhe financat publike, qeveria planifikon të ndërmarrë 19 reforma strukturore në harkun e viteve 2023-2025. Ambicia kryesore e qeverisë është rritja e punësimit tek të rinjtë.

“Fokusi kryesor në këto reforma nga ajo që kam parë është rritja e cilësisë punëtore e cila ka për synim, kryesisht të rinjtë të mirë-kualifikuar, por të papunë. Lind nevoja që ata të aftësohen e më pas të integrohen në tregun e punës. Duhet më shumë vëmendje ndaj të rinjve me qëllim që të mos shohin emigrimin si të vetmin opsion," shprehet Mikel Qafa, pedagog dhe ekspert ekonomie.

Vëmendje në projekt merr edhe  zgjerimi i mbulueses së kujdesit social, lufta ndaj informalitetit, investimet strategjike, menaxhimi i financave publike, sektori energjetik dhe tranzicioni i gjelbër për një ekonomi që zvogëlon ndotjen.

Për ekspertin e ekonomisë Qafa, reformat janë të mirëpritura, por të pamjaftueshme dhe të vona.

“Reformat që janë projektuar të ndërmerren nuk është se janë të gabuara. Ato më shumë janë të pamjaftueshme dhe të vonuara..” “Reformat që ka projektuar qeveria të ndërmarrë këtë periudhë afatmesme janë më shumë një evolucion, një vijimësi e nismave të mëhershme. Nuk është se presim revolucion, aq shumë të nevojshëm për ekonominë shqiptare.”

Në projektvendimin e hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pranohet se reformat e deritanishme nuk kanë dhënë efektet e pritshme duke mos arritur të ulin nivelin e varfërisë, papunësinë apo të nxisin investimet e huaja.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024