Titujt qeveritarë “joshin” shqiptarët, u ofrua më shumë nga sa u kërkua në ankand, bie norma e interesit

Nga A2 CNN
18 Janar 2023, 12:52 | Ekonomi

Thirrja e qeverisë fundvitin e shkuar për të investuar në letra me vlerë, bono thesari dhe obligacioni po “josh” qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë. Ndonëse ishin kërkuar vetëm 12 miliardë lekë, investitorët ofruan gati 18 miliardë lekë, apo rreth 152 milionë euro në ankandin e së martës të organizuar nga Banka e Shqipërisë.  

“Për qytetarët është një investim me zero risk dhe për shtetin, për qeverinë, për bankën... është një investim i mirëseardhur”, deklaroi Rama më 15 nëntor të vitit të kaluar.

Veç interesit të lartë për të investuar, ankandi i së martës, i dyti për këtë vit të ri shënoi edhe një tjetër ecuri pozitive. Norma e interesit për bonot 12-mujore vijoi trajektoren dhe ra në 5.03 për qind nga 5.34 për qind në fillim të muajit apo 5.8 për qind që ishte nëntorin e vitit të shkuar.

Megjithatë, kjo normë interesi mbetet ndjeshëm më e lartë se fillimvitin e shkuar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma e interesit për bonot 12-mujore në janar 2022 ishte vetëm 1.63 për qind, 3.4 për qind më e ulët se aktualisht.

Ecuria e normës së interesit për bonot e thesarit është veçanërisht për huamarrësit që kanë kredi në lekë, pasi ajo përcakton ndjeshëm dhe luhatjen e kësteve mujore për kreditë me norma të ndryshueshme interesi.

Referuar ecurisë së këtij fillimviti, kjo periudhë mund të shërbejë si “frymëmarrje” për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë.

https://a2news.com/2022/11/28/interesi-per-bono-thesari-ne-ankand-u-ofruan-dy-here-me-shume-para-se-shuma-e-kerkuar/

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024