Një trilion lekë importe, me gjithë zgjerimin e eksporteve, deficiti tregtar u thellua më tej

Nga A2 CNN
17 Janar 2023, 17:14 | Ekonomi

Gati 1 trilion lekë apo mbi 8 miliardë euro mallra bleu Shqipëria nga jashtë vitin e shkuar duke shënuar kështu nivelin më të lartë në tre dekada.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 2022-in për shkak të rritjes së çmimeve, importet u rritën me 18.7 përqind në krahasim me vitin 2021.

“Kryesisht janë çmimet ato që kanë ndikuar në këtë bilanc të thelluar në raport me një vit më parë”, shprehet Edison Zaçaj, ekspert për ekonominë.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka mundur të përfitojë vetëm gjysmë trilioni nga shitja e mallrave “Made in Albania”. Të dhënat tregojnë se vlera e eksporteve gjatë vitit 2022 arriti në 487 miliardë lekë, duke u rritur me 32 për qind në raport me një vit më parë.

“Nëse flasim për eksportet dhe më konkretisht për lëndët e para. Nëse lëndët e para rriten kjo ndikon te vlera e eksporteve. Edhe këtu kemi volum gati të njëjtë, por “fryrje” nga çmimet”, shprehet Zaçaj.

Referuar të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka forcuar lidhjet tregtare dhe rritur dërgesat me Gjermaninë, Italinë e Kosovën, ndërsa rritëm varësinë nga Turqia, Kina dhe Italia, duke ndryshuar disi gjeografinë e tregtisë së jashtme si pasojë edhe e luftës në Ukrainë.

“Ridimensionimi i hartës ishte i pritshëm. të gjitha vendet përpiqen të ulin sa më shumë kostot e transportit”, thotë eksperti.

Në rritjen e eksporteve ndikimin më të madh e dhanë mineralet dhe lëndët djegëse, materialet e ndërtimit si dhe këpucët e tekstilet. Nga ana tjetër te shtimi i importeve kanë ndikuar kryesisht blerjet e energjisë, dhe shtrenjtimi i metaleve dhe produkteve ushqimore.

Megjithëse eksportet qenë më të larta, bilanci tregtar i vitit të shkuar, pra raporti mes eksporteve dhe importeve u mbyll në deficit në vlerën e -464 miliardë lekëve, duke u zgjeruar me 7.3 për qind në krahasim me 2021-shin.

https://a2news.com/2023/01/13/bilanci-i-bujqesise-eksportet-u-rriten-por-nuk-dhane-efekt-tek-ekonomia/
https://a2news.com/video/analiza-per-bujqesine-import-eksportet-dhe-mbeshtetja-per-fermeret/

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024