Një aksident i rëndë me pasojë një person të plagosur ka ndodhur në aksin rrugor Korçë – Pogradec, në afërsi të fshatit Libonik, shumë pranë urës së këtij fshati.
Burime për A2 CNN pranë ekspertëve të qarkullimit rrugor thanë se drejtuesi i mjetit tip "Benz" ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara dhe në momentin e daljes nga rruga nacionale ka kryer një parakalim të gabuar.
Shpejtësia ka qenë aq e madhe sa mjeti pasi është përplasur në barrierat mbrojtëse të aksit nacional ka "fluturuar" duke bërë disa fluturime në ajër dhe me pas ka përfunduar jashtë kësaj rruge.
Të njëjtat burime thanë se drejtuesi i mjetit K.Xh ka mbetur i plagosur rëndë, por nga spitali i Korçës bëhet e ditur se nuk ka rrezik për jetën.
Rruga nacionale Korçë - Pogradec edhe për shkak të kryqëzimeve të shumta dhe mbi të gjitha mosrespektim i sinjaltistikës rrugore vertikale dhe horizontale është bere shpesh herë burim aksidentesh, madje dhe me pasojë, përfshi këtu dhe segmentin Vashtemi - Vlocisht.
“Maliq/Informacion paraprak: Më datë 02.08.2023, rreth orës 14:20, në aksin rrugor "Korçë-Pogradec", në afërsi të urës së Maliqit, shtetasi K. Xh., duke drejtuar automjetin tip "Benz", dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit K. Xh., i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.” (A2 Televizion)
Njoftimi i Policisë së Korçës