Akuzohet për shitblerje votash, Gjykata vendos “arrest me burg” për Fredi Belerin, kandidatin e “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës

Nga A2 CNN
13 Maj 2023, 13:17 | Kronikë
Akuzohet për shitblerje votash, Gjykata vendos “arrest me burg”

Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua dy ditë më parë me akuzën e blerjes së votave.

Gjykata gjithashtu shpalli moskompetencën për gjykimin e çështjes. Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore.

Sipas të dhënave të policisë së Vlorës, arrestimi i Belerit, është bërë pasi ka konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i kodit penal. Së bashku me Belerin, policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, për të njëjtën akuzë, ndërsa avokati u lirua disa orë pas shoqërimit.

Kokaveshi mësohet se është dërguar në Tiranë, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” pasi pretendimeve për probleme shëndetësore dhe pritet që seanca e masës së sigurisë të bëhet atje.

Në seancën gjyqësore ishte e pranishme edhe ambasadorja greke në vendin tonë Konstantina Kamitsi, ndërsa kreu PBDNJ, Vangjel Dule, nuk u lejua të ishte pjesë e procesit. Jashtë ambienteve të gjykatës, Dule e cilësoi arrestimin një vendim të paralajmëruar.

Rama: Sprovë e madhe për drejtësinë, mos u nxitoni në konkluzione politike

Një sprovë të madhe për drejtësinë në prag të zgjedhjeve, e ka cilësuar kryeministri Edi Rama ndalimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri. Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë, thekson se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.

“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!”

Ai bëri thirrje për respektim të organeve të drejtësisë dhe mos nxitim me konkluzione politike.

“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”.

Arrestimi i Belerit, reagon kryeministri i Greqisë

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, reagoi në rrjetet sociale pas arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit të “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës.

Informova Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për arrestimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë Himarë dhe anëtarit të pakicës kombëtare greke, Fredi Beleri, dy ditë përpara zgjedhjeve. Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe BE-ja nuk do të pranojnë shkelje të ligjit për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke.

Kiriakos Mitsotakis, Facebook

Dendias: Skandal nëse s’ka prova, informova BE-në

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka reaguar pas arrestimit të kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë, Fredi Beleri.

Deklaratën, Dendias e ka bërë nga Stokholmi ku do të mbahet takimi joformal “Gymnich” i Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Arrestimi, dy ditë para zgjedhjeve, i anëtarit të minoritetit grek, Fredis Beleris, kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë në Shqipëri, si dhe të një tjetër greku, është skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme. E kam informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell për rastin, si dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom, i cili mban Presidencën e BE-së.

Nikos Dendias, Twitter

Kryediplomati grek shprehet se nëse arrestimi është bërë pa prova të pakontestueshme, rasti është skandal. Po ashtu, ai bën të ditur se ka vënë në dijeni BE-në për arrestimin e Belerit, më konkretisht përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom.

Sali Berisha: Hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës

Sali Berisha e quajti një “një hakmarrje të verbër politike të Edi Ramës” arrestimin e Fredi Belerit në Himarë, nën akuzën e korrupsionit zgjedhor.

Sipas tij këto veprime janë bërë “me manipulimet, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave që drejton sot policinë e Vlorës dhe quhet Ermal Muça. Dënoj dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote, kudo që kjo të ketë ndodhur”, tha Berisha në një konferencë për mediat.

“Por duhet të informoj qytetarët shqiptarë se janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj trojeve dhe tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë. Sikundër përdorimi i dhunës është një akt “in extremis” për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty. Kam qenë në Dropull klimë terrori, ku policia u bënte presion zgjedhësve që të mos votonin kandidatin tonë të shkëlqyer, por të votonin kandidatin e Edi Ramës”.

“Po të jetë puna për blerje votash, ato janë tentuar duke u dhënë bonus mbi 600 mijë pensionistëve, në kundërshtim të kodit zgjedhor, me përdorimin masiv të punësimeve. Vetëm pensionistë janë shtuar 13 mijë në këtë periudhë, pa kontribute. Vetëm për personat me aftësi ndryshe janë shpërndarë në Dibër 400 milionë nga thesari. Kjo ka qenë masive dhe nëse ka njeri që ka kryer një megakrim elektoral është Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla, Olta Xhaçka, Damian Gjiknuri, Elisa Spiropali, Tom Doshi”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/13/te-lirohet-beleri-menjehere-dule-procesi-nje-parodi-vendimi-ishte-i-paralajmeruar/
https://a2news.com/2023/05/12/arrestimi-i-belerit-qytetarja-me-ofruan-200-mije-leke-per-voten-time-te-vjehrres-dhe-te-burrit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos