Amnistia fiskale, që pas hedhjes për konsultim publik po prodhon sërish shumë debate, nuk është një koncept i ri për Shqipërinë. Në thelb një formë faljeje, Shqipëria ka kaluar shumë të tilla përgjatë viteve. Nga falja e taksave të automjeteve, tek fshirja e kamatëvonesave të faturave të energjisë elektrike apo mospagesa e gjobave për maskat gjatë pandemisë.
Por kur flasim për amnisti të përgjithshme të kapitalit, pra të parasë dhe çdo forme tjetër të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme, nisma e parë daton qysh në vitin 1999.
Ideja asokohe u hodh nga presidenti Rexhep Mejdani dhe u mbështet në parim nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Por politika nuk arriti një dakordësi dhe amnistia mbeti vetëm në letër.
Në vitin 2011, do të ishte kryeministri Sali Berisha që do të zbatonte një formë të amnistisë fiskale, që konsistoi në rivlerësimin e pasurive të patundshme kundrejt një tarife prej 2% dhe faljen e borxhit tatimor dhe doganor, si dhe penaliteteve përkatëse, nëse paguaje një pjesë të principalit.
Në vitin 2015, kur në pushtet ishin socialistët, Ministria e Financave, e drejtuar nga Shkëlqim Cani do të zbatonte një falje fiskale, që konsistonte në deklarimin e mallrave pa faturë kundrejt faljes së penalitetit.
Tashmë amnistia rikthehet në një formë tjetër.
Nga amnistia fiskale që diskutohet sot nuk mund të përfitojë asnjë politikan, funksionar shteti, gjyqtar, prokuror apo familjarë të tyre. Në letër përjashtohen edhe paratë e krimit të organizuar dhe narkotrafikut? Po atëherë kujt i drejtohet kjo amnisti?
Puna në të zezë e deklarohet si subjekti kryesor i amnistisë. Përfituesit synohet të jenë emigrantët që ndër vite kanë siguruar të ardhura nga punë të ndryshme të padeklaruar. Por edhe në vend, personat e punësuar që rroga nuk u deklarohet, si dhe vetë kompanitë dhe të vetëpunësuarit që prej vitesh qarkullojnë para në të zezë. Shteti kërkon të mbledhë tatimin 7% nga vlera e pasurive të deklaruara, ndërsa deklaron se do të çlirojë një kapital të madh që prej vitesh qëndron i mbyllur dhe i shërben shumë ekonomisë në një periudhë krize. Nga ana tjetër, ekziston rreziku që i druhen ekspertët dhe bizneset, që procesi të kthehet në një ligjërues të parave të pista, që mund të sjellin më shumë dëme se sa përfitime. (A2 Televizion)